Kërkesë publike drejtuar MASHTI-t për shfuqizimin e një marrëveshjeje të rrezikshme

28 janar 2026 | 19:46

Shkruan: Hisen Berisha 

Bazuar në dokumentacionin zyrtar të siguruar dhe analizën e përmbajtjes së Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), organizatës Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS), Community Building Mitrovica (CBM) dhe programit “Demand for Justice” (D4J), si qytetar me përgjegjësi personale e publike, parashtroj kërkesë publike dhe institucionale për revokimin dhe shfuqizimin e menjëhershëm të kësaj marrëveshjeje.

Ky Memorandum, i nënshkruar në vitin 2017, ka krijuar bazë formale për përfshirjen e subjekteve joqeveritare me profil dhe narrativ të kontestueshëm politik në ambientet e arsimit publik parauniversitar, duke u dhënë qasje direkte tek nxënësit e mitur, jashtë një kornize të qartë ligjore, pedagogjike dhe kushtetuese.

Ligji për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës përcakton qartë se, aktivitetet edukative në shkollat publike duhet të jenë të miratuara institucionalisht; përmbajtjet duhet të jenë neutrale, të akredituara dhe në përputhje me kurrikulën shtetërore dhe se interesi më i lartë i fëmijës është parim udhëheqës dhe i panegociueshëm.

Memorandumi në fjalë nuk garanton asnjë nga këto standarde. Ai nuk parasheh mekanizma të kontrollit të përmbajtjes, nuk dëshmon për proces akreditimi dhe nuk siguron neutralitet ideologjik në trajtimin e temave jashtëzakonisht të ndjeshme historike dhe politike.

Dokumenti👇

Ky program, i cili në Kosovë ka filluar të zbatohet që në vitin 2016, dhe kpnkretisht stafi i CBM-së përbëhet nga qytetarë të përkushtuar, serbë dhe shqiptarë, të cilët janë rritur në këtë rajon, synojnë të rikthejnë besimin e mëparshëm dhe madje miqësinë (bashkim – vëllazërimin jugosllav) që lufta dhe politika e kanë shkatërruar.

Në këtë rast, përgjegjësia nuk mund të delegohet te shkollat apo drejtoritë komunale të arsimit.
MASHT është palë nënshkruese e Memorandumit dhe, rrjedhimisht, mban përgjegjësi të plotë institucionale për lejimin e qasjes në shkolla publike; përmbajtjen edukative që u serviret nxënësve dhe mungesën e filtrave ligjorë dhe pedagogjikë.

Çdo pretendim se këto aktivitete janë zhvilluar pa dijeni institucionale bie ndesh me ekzistencën dhe përmbajtjen e vetë Memorandumit.

Përfshirja e organizatave të lidhura me narrativën e Dhomave të Specializuara në Hagë në edukimin e të miturve përbën rrezik serioz për rendin kushtetues dhe edukimin qytetar.

Ekzistojnë dyshime të arsyetuara se përmes këtyre ligjëratave po synohet të relativizohet lufta çlirimtare e UÇK-së; të problematizohet karakteri i saj çlirimtar; të promovohet barazimi moral ndërmjet agresorit dhe viktimës dhe të sugjerohet narrativa e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, rendi kushtetues buron nga lufta çlirimtare.
Çdo përmbajtje edukative që e vë në dyshim këtë themel, sidomos përpara brezave të rinj, është në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe interesin publik.

Shkollat publike nuk janë hapësira për eksperimente politike apo ideologjike.
Nxënësit e mitur nuk mund të ekspozohen ndaj përmbajtjeve të paqarta, të pakontrolluara dhe të paautorizuara institucionalisht.

Kur tema themelore shtetërore trajtohen nga subjekte të jashtme, pa mandat dhe pa transparencë, çështja kalon nga arsimore në çështje të sigurisë publike, të mbrojtjes së rendit kushtetues dhe të përgjegjësisë shtetërore.

Për këto arsye, vlerësoj se jo vetëm individualisht, pot edhe sivqytetarë – prindër, arsimtarë, shqëria civile, OVL të UÇK, të i drejtohemi publikisht MASHT-it me kërkesë që:
– të shfuqizojë dhe revokojë menjëherë Memorandumin e Mirëkuptimit me YIHR KS, CBM dhe D4J;
– të pezullojë çdo aktivitet që buron nga kjo marrëveshje;
– të bëjë verifikim të plotë institucional për ligjëratat e zhvilluara deri më tani;
– të sqarojë përgjegjësinë administrative dhe politike për lejimin e këtyre veprimtarive.

Kjo nuk është thirrje për censurë.
Është thirrje për ligj, përgjegjësi dhe mbrojtje të interesit publik.

Edukimi nuk guxon të shndërrohet në instrument të devijimit të historisë.
Shkollat nuk janë poligon i narrativave të importuara.

Kjo është çështje politike, ligjore dhe shtetërore. Ngase UÇK-ja është themeli i lirisë së Kosovës.
Shkollat janë institucione shtetërore, ku edukimi është përgjegjësi kushtetuese dhe shtetërore.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka realizuar një aksion…