Përparim Rama mbështet marshin e 17 shkurtit me moton ‘Drejtësi, jo politikë’

30 janar 2026 | 17:00

Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, janë pritur në takim nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili u ka dhënë mbështetje për marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.

Hoxha dhe Tasholli e kanë njoftuar kryetarin Rama me aktivitetet në kuadër të fushatës së mobilizimit qytetar për këtë Marsh.

Përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha e ka vlerësuar mbështetjen institucionale që po merr marshi nëpër Kosovë.

“Mbështetja nga kryeqyteti është dëshmi se kjo kauzë i përket ndërgjegjes qytetare. Marshi “Drejtësi, jo politikë” është thirrje paqësore për drejtësi të paanshme dhe për respektimin e së vërtetës sonë historike”, ka thënë Hoxha.

Edhe përfaqësuesi tjetër i platformës, Ismail Tasholli, ka theksuar rëndësinë e mobilizimit gjithëpërfshirës.

“Ky marsh nuk është kundër drejtësisë, por kundër politizimit të saj. Më 17 shkurt marshojmë si qytetarë, për dinjitetin e luftës çlirimtare dhe për drejtësi joselektive”, ka thënë Tasholli.

Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se lufta  e UÇK-së ishte luftë e drejtë e lindur nga populli.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Prishtinës t’i bashkohen masovisht Marshit për drejtësi, në shenjë solidarizimi me çlirimtarët që po mbahen padrejtësisht në Hagë”, ka thënë Rama.

Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në tërë komunat e Kosovës, me synimin e një mobilizimi sa më të gjerë qytetar për marshin e 17 shkurtit në Prishtinë, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Sunderlandit, Regis Le Bris ka dhënë një përditësim…