Vendimet urgjente të Kuvendit pas konstituimit të legjislaturës së re

02 shkurt 2026 | 12:47

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar se pas konstituimit të legjislaturës së re, Kuvendi i Kosovës duhet të adresojë një sërë vendimesh urgjente që janë vendimtare për funksionimin normal të rendit kushtetues dhe stabilitetin e institucioneve.

Sipas IKD-së, këto vendime nuk janë vetëm obligime politike, por detyrime të drejtpërdrejta kushtetuese dhe ligjore, të cilat kërkojnë veprim të menjëhershëm dhe të përgjegjshëm nga përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve.

“Një nga prioritetet kryesore të Kuvendit është miratimi i Ligjit për ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, ratifikimi i marrëveshjes me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes (880 milionë euro) dhe ratifikimi i marrëveshjes me Bankën Botërore (90 milionë euro). Këto vendime janë të domosdoshme për avancimin e interesave strategjike nacionale, zbatimin e obligimeve ndërkombëtare, funksionimin financiar të shtetit, zbatimin e politikave publike dhe shmangien e pasigurisë së institucioneve”, ka vlerësuar IKD-së.

Po ashtu, sipas IKD-së, Kuvendi duhet të sigurojë financimin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) dhe mbështetjen financiare për komunat, si pjesë e obligimeve ligjore dhe politike për garantimin e shërbimeve publike dhe funksionimit të komunave në gjithë territorin e vendit.

“Një prioritet po aq i rëndësishëm mbetet zbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë aktgjykimin për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe të drejtat e mbi 94 mijë zyrtarëve publikë. Moszbatimi i këtyre vendimeve cenon drejtpërdrejt parimin e sundimit të ligjit dhe besimin e qytetarëve në rendin kushtetues”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se legjislatura e re duhet të veprojë me urgjencë, përgjegjësi dhe transparencë, duke ç’bllokuar proceset kyçe, zbatuar aktgjykimet kushtetuese dhe forcuar rolin mbikëqyrës të Kuvendit, në funksion të garantimit të rendit demokratik dhe interesit publik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka mbyllur në…