Infantino kërkon rikthimin e Rusisë në futboll, reagon Ukraina

03 shkurt 2026 | 11:23

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka deklaruar se dëshiron heqjen e ndalimit katërvjeçar për klubet dhe kombëtaren ruse nga garat ndërkombëtare, duke vlerësuar se masa nuk ka prodhuar efektin e synuar. Rusia është pezulluar nga FIFA dhe UEFA që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt të vitit 2022, por sipas Infantinos kjo nuk ka sjellë rezultat pozitiv.

“Ky ndalim nuk ka arritur asgjë; thjesht ka krijuar më shumë frustrim dhe urrejtje”, ka thënë ai për Sky Sports, duke shtuar se do të ndihmonte që “vajzat dhe djemtë nga Rusia të jenë në gjendje të luajnë ndeshje futbolli në pjesë të tjera të Evropës”.

Infantino ka theksuar se futbolli nuk duhet të përdoret si mjet ndëshkimi politik, duke deklaruar se FIFA nuk duhet “të ndalojë kurrë asnjë vend të luajë futboll për shkak të veprimeve të udhëheqësve të tyre politikë”, ndërsa ka shtuar se “dikush duhet t’i mbajë lidhjet të hapura”.

Këto komente kanë nxitur reagime të forta, veçanërisht nga Ukraina, ku ministrja e Sportit, Matvii Bidnyi, i ka cilësuar deklaratat si “të papërgjegjshme” dhe “infantile”, duke thënë se “ato e shkëputin futbollin nga realiteti në të cilin po vriten fëmijë”.

Në të njëjtën kohë, presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka mbajtur një qëndrim më të rezervuar, duke theksuar se lufta në Ukrainë duhet të përfundojë përpara se Rusia të rikthehet në garat e UEFA-s. Infantino ka komentuar gjithashtu edhe vendimin e FIFA-s për t’i dhënë një çmim për paqe presidentit amerikan Donald Trump gjatë shortit të Kupës së Botës 2026, duke thënë se “çfarëdo që mund të bëjmë për të ndihmuar paqen në botë, duhet ta bëjmë” dhe se “objektivisht, ai e meriton”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe pse afati kalimtar i dimrit nuk ishte më i…