Kërcënohet Gjergj Dedaj, jep dëshmi në Polici
Ish-ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj, ka deklaruar se është kërcënuar nga mbështetës të presidentes Vjosa Osmani dhe segmente të caktuara brenda Lëvizjes Vetëvendosje.
Dedaj ka bërë të ditur se kërcënimet i ka pranuar përmes rrjeteve sociale, por edhe në forma të tjera, duke shtuar se rastet i ka denoncuar në Policinë e Kosovës. Ai ka konfirmuar se sot është intervistuar nga organet policore lidhur me këto kërcënime.
Në një reagim publik, Dedaj ka theksuar se kërcënimet, kanosjet dhe nxitja e urrejtjes ndaj tij po vijnë nga individë që, sipas tij, nuk pajtohen me qëndrimet e tij politike, pluraliste dhe demokratike.
Ai ka njoftuar se Policia e Kosovës është zotuar për hetim të plotë të rasteve të raportuara dhe se tashmë ka nisur një angazhim profesional për të zbardhur kërcënimet, identifikuar autorët dhe për t’i sjellë ata para drejtësisë.
Dedaj ka deklaruar se, pavarësisht kërcënimeve, ai nuk do të ndalet së shprehuri bindjet e tij politike dhe se do të vazhdojë të angazhohet për mbrojtjen e rendit demokratik, barazisë qytetare, shtetit ligjor, demokracisë dhe vlerave të integrimit euroatlantik të Republikës së Kosovës.



