City kërkon finalen e Kupës së Ligës
Manchester City po synon të jetë finalisti i dytë i Kupës së Ligës të Anglisë për të siguruar përballjen me Arsenalin në ndeshjen finale që do të luhet më datën 22 mars në stadiumin “Wembley”.
Arsenali, të martën mbrëma avancoi në finale të kësaj gare pasi në gjysmëfinale eliminoi Chelsean me rezultatin e përgjithshëm 4:2 pas dy ndeshjeve të luajtura.
City, sot prej orës 21:00 përballet me Neëcastle Unitedin në “Etihad Stadium” në ndeshjen e dytë gjysmëfinale dhe ka epërsinë prej dy golave pasi në duelin e parë ka fituar 2:0.
Skuadra e Pep Guardiolas kërkon paraqitjen e dhjetë në finale të Kupës së Ligës, garë të cilën herën e fundit e ka fituar në sezonin 2020/21.
Në anën tjetër, Arsenali ka siguruar finalen e nëntë të Kupës së Ligës dhe po e kërkon triumfin e parë pas sezonit 1992/93.
Për dallim prej Cityt që e ka fituar nëntë herë Kupën e Ligës, skuadra e Arsenalit e ka shijuar vetëm dy herë suksesin në këtë garë.



