Ronaldo i jep fund grevës, por vazhdon të mbetet i pakënaqur
Superylli portugez, Cristiano Ronaldo është gati t’i japë fund grevës së tij në futbollin saudit, megjithëse mbetet i pakënaqur me mënyrën se si shteti po e trajton klubin e tij, Al-Nassr.
Ronaldo refuzoi të luante për Al-Nassr në shenjë proteste ndaj Fondit të Investimeve Publike (PIF) të Arabisë Saudite, i cili sipas tij nuk po i trajton klubet në mënyrë të barabartë. Klubet kryesore saudite janë në pronësi të shtetit dhe PIF ka rol vendimtar në transferime, përfshirë edhe përcaktimin se në cilin klub do të përfundojnë lojtarët.
Sipas futbollistit portugez, lojtarët më të mirë po i jepen kryesisht Al-Hilal, ku së fundmi ka përfunduar edhe Karim Benzema, gjë që ka shtuar pakënaqësinë e tij.
Për këtë arsye, Ronaldo nuk pranoi të luante kundër Al-Riyadh më herët gjatë javës. Megjithatë, Sky Sports raporton se ai do t’i japë fund grevës, edhe pse pakënaqësia me situatën aktuale mbetet.
Ndërkohë, Cristiano Ronaldo është rikthyer dje në stërvitje me Al-Nassr, duke dhënë sinjale pozitive për rikthimin e tij në fushë.
Sipas raportimeve, Ronaldo pritet të luajë nesër në derbin ndaj Al-Ittihad. Situata ka shkuar deri aty sa ylli portugez po mendon seriozisht edhe largimin nga Al-Nassr dhe Arabia Saudite.
Aktualisht, Al-Nassr ndodhet vetëm një pikë prapa liderit Al-Hilal, dhe drejtuesit e klubit shpresojnë që rikthimi i Ronaldos të jetë vendimtar në garën për titullin e shumëpritur.



