Ismaili mirëpret Misionin e Asistencës Teknike të FMN-së për forcimin e modelimit dhe parashikimit makroekonomik
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, së bashku me ekipin e tij, mirëpriti ekipin e misionit të asistencës teknike të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të udhëhequr nga Yunhui Zhao nga selia qendrore e FMN-së.
Misioni përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mëtejmë të kapaciteteve të BQK-së në parashikimin makroekonomik dhe analizën e politikave, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Projekti i asistencës teknike pason diskutimet e mëhershme të zhvilluara gjatë Takimeve Vjetore në Uashington DC, ndërmjet guvernatorit Ismaili dhe Institutit për Zhvillimin e Kapaciteteve (ICD) të FMN-së (përfshirë menaxhmentin e lartë të ICD-së), si dhe kërkesën formale të BQK-së për këtë mbështetje dhe misionin hyrës të realizuar në shtator 2025.
Gjatë takimit, guvernatori Ismaili e njoftoi ekipin e FMN-së mbi zhvillimet e fundit në sektorin financiar të Kosovës dhe për reformat e ndërmarra nga BQK-ja me qëllim forcimin e stabilitetit financiar dhe rritjen e efektivitetit të politikave.
Ai po ashtu paraqiti pritshmëritë e institucionit nga ky angazhim, duke theksuar rëndësinë e tij për forcimin e kapaciteteve analitike dhe mbështetjen e vendimmarrjes së bazuar në evidencë.
Guvernatori Ismaili theksoi se asistenca teknike do të kontribuojë në ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme të brendshme dhe në rritjen e mëtejme të cilësisë së kornizës së politikave makroekonomike, në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së. Korniza analitike që do të zhvillohet do të forcojë kapacitetet analitike dhe parashikuese të BQK-së, përfshirë zhvillimin e skenarëve për diskutime të politikave dhe testimet e stresit makro-financiar, duke mbështetur kështu procesin e politikëbërjes së BQK-së.
Zhao prezantoi objektivat e dakorduara të projektit shumëvjeçar të asistencës teknike, i cili synon kryesisht krijimin e një infrastrukture të qëndrueshme analitike për të mundësuar parashikime të besueshme dhe analiza skenarësh që informojnë procesin e vendimmarrjes.
Në përfundim, BQK-ja dhe ekipi i FMN-së rikonfirmuan angazhimin e tyre për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe për sigurimin e zbatimit të suksesshëm të këtij projekti të rëndësishëm.
BQK-ja vlerëson lart mbështetjen e FMN-së dhe njeh vlerën e konsiderueshme të projekteve të asistencës teknike në forcimin e kapaciteteve institucionale.



