Mbrojtja e Thaçit sot i thotë fjalët përfundimtare në Hagë
Do të vazhdojë edhe sot seanca në gjyqin ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë.
Ditën e sotme, fjalët përfundimtare do t’i thotë mbrojtja e Hashim Thaçit.
Luka Misetic, avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi njoftoi se sot në orën 09:00 do të nis deklaratën përmbyllëse në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë.
Gjatë ditës së djeshme, Prokuroria e Specializuar përmbylli fjalën e saj, duke pretenduar se Hashim Thaçi i kishte gënjyer disa herë ndërkombëtarët dhe duke shtuar se deklaratat e mbrojtjes duhet të merren me rezerva sa i përket UÇK-së dhe rolin e ish-udhëheqësve të saj.
Pas Prokurorisë, fjalën përmbyllëse e kishte mbrojtësi i viktimave. Simon Laws citoi deklarata të dëshmitarëve lidhur me dëmin që pretendohet se kanë pësuar viktimat.
Ai tha se viktimat ishin keqtrajtuar dhe pasojat psikologjike disa prej tyre i vuajnë sot e kësaj dite.
Sipas tij, anëtarë të UÇK-së kanë kryer krime, por kjo “nuk e bën atë organizatë kriminale”.
Ai tha se pret që në vendimin e trupit gjykues për këtë rast të dëgjohet zëri i viktimave pjesëmarrëse.



