Mbrojtja e Thaçit sot i thotë fjalët përfundimtare në Hagë
Deklaratat përmbyllëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit kanë përfunduar dje. Fjalët përfundimtare i ka dhënë edhe Mbrojtësi i viktimave. Ndërkohë, sot është dita e paraparë për fjalën e fundit të mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës.
Do të vazhdojë edhe sot seanca në gjyqin ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë.
Ditën e sotme, fjalët përfundimtare do t’i thotë mbrojtja e Hashim Thaçit.
Luka Misetic, avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi njoftoi se sot në orën 09:00 do të nis deklaratën përmbyllëse në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë.
“Do ta paraqes deklaratën përmbyllëse në gjykimin për krime lufte të klientit tim, Hashim Thaçi, (të mërkurën) në orën 9:00 sipas Kohës së Europës Qendrore (CET). Mund ta ndiqni në këtë lidhje, me një vonesë prej 45 minutash (videoja do të fillojë në orën 9:45 CET): https://streaming.scp-ks.org“, shkroi ai në një postim në X.
Gjatë ditës së djeshme, Prokuroria e Specializuar përmbylli fjalën e saj, duke pretenduar se Hashim Thaçi i kishte gënjyer disa herë ndërkombëtarët dhe duke shtuar se deklaratat e mbrojtjes duhet të merren me rezerva sa i përket UÇK-së dhe rolin e ish-udhëheqësve të saj.
Pas Prokurorisë, fjalën përmbyllëse e kishte mbrojtësi i viktimave. Simon Laws citoi deklarata të dëshmitarëve lidhur me dëmin që pretendohet se kanë pësuar viktimat.
Ai tha se viktimat ishin keqtrajtuar dhe pasojat psikologjike disa prej tyre i vuajnë sot e kësaj dite.
Sipas tij, anëtarë të UÇK-së kanë kryer krime, por kjo “nuk e bën atë organizatë kriminale”.
Ai tha se pret që në vendimin e trupit gjykues për këtë rast të dëgjohet zëri i viktimave pjesëmarrëse.



