Shkruan Hajdin Abazi: Rrezet e diellit sikur po i ndrisnin shtegun e rrugës kah po ecte Afrimi

02 nëntor 2026 | 15:19

(Janar 1989)

Unë nuk vura gjumë në sy deri në mëngjes. Në një farë mënyre, po bëja rojën e natës, ani se këtu ishim mjaft të sigurt, sepse këto familje nuk ishin të ekspozuara dhe lëvizjet këtu bëheshin me shumë kujdes.

Nuk më zinte gjumi jo vetëm pse kisha fjetur gjatë ditës, po në të vërtetë më tepër nga impresionimi prej Afrimit.

Po e analizoja mënyrën e artikulimit të tij. Ishte, njëmend, shumë mendjemprehtë, mendjehapur dhe transparent, që problemet, cilatdo qofshin ato, të shtrohen, të diskutohen dhe të arrihet në qartësi. Qasja e tij, më bëri të ndjehesha i sigurt, se

Afrimi do të ishte njëri nga ato dy kuadrot shumë kualitative, për të cilat më kishte folur Emrush Xhemajli, sekretari i Degës së LPRK jashtë vendit, gjatë përgatitjeve për t’u nisur për në Kosovë.

Në mëngjes, diku kah ora 7, Afrimi u zgjua, i lau sytë, i krehu flokët dhe u përshëndet me ne e doli. Ai ishte absolutisht i vetëdijshëm se lëvizjet e tij mund të ishin të rrezikshme për të e për ne, por nuk kishte mënyrë tjetër, dhe ne duhej të vepronim duke qenë gjithnjë dhe në çdo çast të gatshëm për sakrificë.

Tek e shihja nga dritarja të ecte ashtu shtathedhur, dukej si një ushtarak që po hidhte hap paradash, ndonëse ai këtë ecje e kishte të natyrshme. M’u duk se në vend të tij ishte liria e popullit që po marshonte drejt sfidave të reja, për t’i hequr vargonjtë e robërisë që kishte një shekull thuaja që ia kishin vënë. Nga hapat e tij mbesnin gjurmët në borën e bardhë, si një dëshmi e heshtur por si një vullkan se këtu po zihej liria.

“Eh, po,” – mendova, – “vetëm me të përkushtuar të këtij kalibri, si Afrim Zhitia e si Fadil Vata, mundet liria t’ia thyej prangat popullit!”.

Më dukej se rrezet e diellit sikur po i ndrisnin shtegun e rrugës kah po ecte Afrimi. Hapat e tij tregonin vendosmërinë e njerëzve të idealit që të mos ndaleshin, derisa nata e errët e robërisë të merrte fund.

(Fragment nga libri për Heroin e Kombit Afrim Zhitia, libër i cili së shpejti do të botohet).

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Me rastin e 2 Nëntorit - Ditës Ndërkombëtare për Dhënien…