Mbrojtja e Thaçit: Ka kontradikta themelore në deklaratat e ZPS-së
Avokati i Thaçit, Luka Misetiq, në fjalën e tij ka vazhduar t’i hedhë poshtë pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për UÇK-në.
“Nga njëra anë Prokuroria thotë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ka pasur një sistem tërësisht funksionues të komandimit nga Shtabi i Përgjithshëm deri te zonat, mundësinë për të komunikuar mes Shtabit të Përgjithshëm dhe zonave, mundësinë për të lëshuar urdhra detyruese nga Shtabi i Përgjithshëm për anëtarët e zonave, si dhe mundësinë për të ushtruar disiplinë, për t’i dënuar nivelet më të ulëta në rast të moszbatimit të urdhrave”, ka thënë ai.
Por, sipas Misetiqit, pavarësisht këtyre pretendimeve, vetë Prokuroria më pas ka thënë se mënyra themelore përmes së cilit kanë komunikuar anëtarët e “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (NPK)”, e kanë komunikuar politikën e tyre kundër kundërshtarëve, ka qenë përmes komunikatave, deklaratave politike dhe deklaratave tjera, të cilat ushtarët i pranonin përmes mediave publike.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk shpjegon se pse anëtarë të NPK-së nuk kanë lëshuar urdhra të cilët etiketonin të ashtuquajturit oponentë. Ne parashtrojmë se çështja e ZPS-së nuk është konsistente dhe në fakt nuk ka pasur as komandë dhe kontroll dhe as prova të besueshme që zonat i kanë interpretuar komunikatat si politikë për të kryer krime kundër personave të perceptuar që pengonin anëtarët e NPK-së që të kishin kontroll të plotë mbi Kosovën”, ka thënë ai.



