Apolitizmi si doktrinë ose vetëvrasja e shoqatave studentore shqiptare në diasporë

11 shkurt 2026 | 15:32

Shkruan: Jon GJINI

E shkruaj këtë letër në një kohë kur fjala “angazhim” është bërë pothuajse e dyshimtë, ndërsa fjala “apolitik” është shndërruar në normalitet. E shkruaj në një moment kur komunitetet tona në mërgim janë më të arsimuar se kurrë, normalisht më të lidhur se kurrë, më të pajisur me mjete komunikimi se kurrë, dhe megjithatë, në shumë raste, më të heshtur se kurrë.

E shkruaj edhe sepse po shoh një fenomen që po normalizohet me shpejtësi : një pjesë e organizatave studentore në diasporë kanë zgjedhur ta reduktojnë veten në “struktura aktivitetesh” apo agjenci eventesh duke e quajtur këtë maturi, kanë zgjedhur të mos reagojnë ndaj asgjëje, duke e quajtur këtë unitet, kanë zgjedhur ta shmangin konfliktin e ideve, duke e quajtur këtë kulturë.
Dhe me këtë zgjedhje, pa e pranuar, kanë bërë një gjë më të rëndë se çdo gabim organizativ: kanë kthyer apolitikën në politikën e tyre zyrtare.

Nuk e shkruaj këtë letër për t’u pëlqyer askujt. Është shkruar për t’u lexuar. Dhe nëse bie në duart e dikujt që ende e ndien përgjegjësinë e studentit, të intelektualit, të shoqërisë civile, do të ketë bërë punën e saj.

Po e nis me një pyetje të thjeshtë, të padurueshme ndoshta pikërisht sepse është e thjeshtë: kur thoni “jemi apolitikë”, kujt po i shërbeni? Vetvetes, që të flini më qetë? Sponsorëve, që të mos bezdisen? Partive, degëve dhe nën-degëve të tyre, që të mos i sfidoni? Apo thjesht frikës suaj, që të mos ju kërkojë kurrë guxim?

Po e shkruaj këtë me shpresën se do t’i bjerë në dorë dikujt që ende mendon. Jo domosdoshmërisht dikujt që pajtohet me mua, e thash.
Por dikujt që nuk është bërë ende indiferent ndaj asaj që e rrethon.

Ajo që po na vret sot si shoqëri civile në diasporë nuk është mungesa e informacionit, në një botë si kjo, informacioni është me tepri. Ajo që po na vret është mungesa e reagimit si kolektiv, në shumë kauza, në shumë çaste, në shumë prova. Dhe kjo mungesë, në diasporën studentore, po shitet si virtyt: “pjekuri”, “unitet”, “qetësi”, “përqendrim te kultura”. Një fjalor i bukur për një fakt të shëmtuar: një pjesë e shoqatave studentore sot e kanë bërë heshtjen dhe apolitizmin doktrinë.

Nuk e kam pasur kurrë problem fjalën “kulturë”. Përkundrazi: kultura është kujtesë, identitet, gjuhë, është mënyra si një komunitet e mban veten gjallë, sidomos kur është larg. Por kur “kultura” përdoret si perde për të mos thënë asgjë, për të mos marrë anë në asgjë, për të mos u përfshirë në asnjë betejë qytetare, atëherë ajo nuk është më kulturë. Është dekor. Është skenografi. Është një shoqatë që rrotullohet rreth vetes, duke e quajtur këtë “aktivizëm”.

Edhe kultura është thellësisht politike. Dhe po ashtu, edhe apolitika është politikë. Ajo është politika e atyre që nuk duan të përgjigjen, por duan të duken. Politika e atyre që s’duan të rrezikojnë asgjë, por duan të thonë “ekzistojmë, dhe ja ku jemi”. Politika e atyre që e kanë frikë konfliktin intelektual sikur të ishte skandal, që e ngatërrojnë debatin me përçarjen, parimin me propagandën, dhe mendimin me “telashe”.
E çuditshme, apo jo? Shoqata studentore, pikërisht ajo formë organizimi që historikisht ka qenë laborator mendimi, konflikt i arsyetuar, paraprijës i ideve, sot sillet si një lloj agjencie eventesh.

Dhe nëse dikush mendon se kjo është “normale”, mjafton të shohë traditën e organizimeve studentore në vendet ku jetojmë : në Francë, për shembull, UNEF-i, prej dekadash, ka qenë aktor real i avancimit të të drejtave studentore, sociale dhe më tej.
Ai nuk ka qenë “perfekt”, por ka qenë politik, pra ka qenë i dobishëm. Ka pasur guxim të jetë i pakëndshëm. Ka pasur guxim të përplaset. Ka pasur guxim të artikulojë një interes kolektiv.

Le ta kthejmë kohën mbrapa, sepse pa kronologji nuk mund t’a dimë se pasardhësit e çkaje jem.
Në vitet ’80 dhe ’90, nëpër qytetet e Zvicrës, Gjermanisë, Francës, Belgjikës, Austrisë, u krijuan shoqata që shpesh i quanin veten “kulturore” ose “arsimore”. Emra të butë, të pranueshëm, të ligjshëm, në një kohë kur të thuash hapur “jemi politikë” mund të të sillte telashe, survejim, izolim, dhe vdekje.

Ato shoqata nuk kanë qenë kurrë vetëm kulturore. Ato ishin politike në rrënjë, sepse ishin përgjigje ndaj një realiteti politik: represion, shtypje, mohime të të drejtave, rrezik ekzistencial. Ato ishin politika në kuptimin më të pastër : organizim për të mbrojtur dinjitetin dhe interesat e kombit.

Ato vite, diaspora nuk kishte luksin e apolitikës. Sepse kur njerëzve u merret e drejta për të studiuar, për të folur gjuhën e tyre, për të qenë qytetarë të barabartë, kultura bëhet automatikisht politikë.

Shkolla shqipe në mërgim, mbledhjet, tubimet, botimet, manifestimet, rrjetet e solidaritetit, lobimi, të gjitha këto ishin forma të rezistencës. Dhe në atë rezistencë, studentët dhe intelektualët kishin rol të pazëvendësueshëm;

Pastaj erdhi lufta. Dhe me të, një e vërtetë që sot shumëkush do ta fshihte nga biografia : diaspora u bë një nga shtyllat që mbajtën gjallë një projekt kolektiv.

Edhe me gabime, me konflikte, me rivalitete e dritë-hije, por ishte angazhim. Ishte mobilizim. Ishte një kohë kur të mos mbaje anë do të thoshte të pranosh padrejtësinë si fat.

Më pas erdhi paslufta. Dhe këtu fillon rrëfimi ynë tragjik, ai që sot e shohim të shndërruar në “normalitet”. Me çlirimin dhe me shtetndërtimin, u krijua iluzioni se “konflikti mbaroi”. Se “tani duhet të ndërtojmë”. Se “tani duhet vetëm pozitivitet”. Dhe në këtë atmosferë, shumë shoqata nisën të shndërrohen: nga hapësira politike të komunitetit, në hapësira sociale, nga organizata që ndërtonin presion dhe qëndrime, në organizata që bënin evente.

Ky transformim, në vetvete, nuk do të ishte problem. Mbështetja sociale është e domosdoshme. Festa, gjuha, kërcimi, komuniteti, janë oksigjen. Problemi fillon pikërisht aty ku shoqata e humb aftësinë e saj themelore: të jetë ndërgjegje kolektive.
Sepse çfarë ndodhi në praktikë? Shumë shoqata u lodhën nga politizimi “i keq” : partitë, klanet, njerëzit që e përdornin emrin e komunitetit si shkallë për karrierë.

Dhe si reagim, u zgjodh një rrugë “e pastër”: “jemi apolitikë”. Duke menduar se kështu shpëtohet shoqata nga partitë dhe nga konfliktet e brendshem. Ky është keqkuptimi fatal : jo-partiak nuk do të thotë apolitik. Jo-partiak do të thotë autonomi. Apolitik do të thotë amputim.
Dhe kështu, dalëngadalë, u lind një kulturë e re frike : frika se mos “krijojmë trazira brenda”. Frika se mos “humbim njerëz”. Frika se mos “na mbyllen dyert”. Frika se mos “na vjen ndonjë koment”. Frika se mos “na etiketon dikush”.

I kam dëgjuar këto fjali, në vizitat e mija në shoqata tjera, i kam dëgjuar shpesh. “Mos i fut shoqatat në politikë.” “Kujdes, se prishen marrëdhëniet.” “Kujdes, se ndahen njerëzit.”

Dhe gjithmonë kam dashur ta kthej me një pyetje tjetër : a jeni shoqatë studentore apo agjenci eventesh ? Sepse nëse ekzistoni vetëm për të ruajtur qetësinë e brendshme, atëherë mos përdorni fjalë të mëdha si “mision”, “komunitet”, “përfaqësim”. Quajeni veten siç jeni: “grup shoqëror”. S’ka asgjë të keqe. Por mos pretendoni se jeni një forcë.

Këtu e kam personale. Sepse jetoj në një qytet ku diaspora shqiptare është reale, e madhe, e talentuar, e arsimuar. Shikoj studentë që flasin tri gjuhë, që studiojnë drejtësi, mjekësi, inxhinieri, shkenca politike; shikoj moshatarë të mi që kanë kapacitet të shkruajnë, të debatojnë, të lobojnë, të ndërmarrin nisma, të hapin dyer. Dhe pastaj shikoj të njëjtët njerëz, në shumë raste, të strukur pas një fjale: “apolitikë”. Një fjalë e përdorur si shpëtim. Në fakt, na është burg.

Dhe e dini çfarë më dhemb më shumë? Jo që s’jemi të gjithë njësoj. Nuk ka nevojë të jemi. Ajo që më dhemb është kjo: heshtja jonë nuk është mosdije : është zgjedhje. Dhe zgjedhja për të heshtur, në momentet kur duhet të flasësh, është pjesëmarrje në atë që ndodh. Është bashkëfajësi e butë. Ajo bashkëfajësi që e lë historinë të ecë pa kontroll, sepse “nuk deshëm të prishim atmosferën”.

E pranoj: ka frikë. Ka edhe lodhje. Ka edhe cinizëm. Ka edhe një ndjenjë të rrezikshme: “s’ndryshon gjë”. Ka edhe depolitizim të brezit, sepse shumë prej nesh janë rritur në familje ku “politika shihet si pisllëk”. Por pikërisht këtu fillon përgjegjësia jonë si studentë: duhet të dimë ta ndajmë politikën si parim nga politika si llum. Ta ndajmë qytetarinë nga klientelizmi. Ta ndajmë qëndrimin nga propaganda.
“Jemi apolitikë” shpesh është vetëm një mënyrë elegante për të thënë: “nuk duam të mbajmë barrë”. Por shoqatat studentore nuk janë krijuar për të qenë të lehta. Ato janë krijuar për të qenë të nevojshme.

Dhe nëse sot, në vitin 2026, dikush mendon se “s’ka konflikt”, duhet t’ia themi troç: konflikti është. Lufta është. Vetëm se nuk është gjithmonë me armë. Është luftë për gjuhën, për kujtesën, për të drejtat, për drejtësinë, për dinjitetin, për orientimin politik të shoqërisë sonë, për integritetin e institucioneve, për të vërtetën historike, për fatin e shtetit, për fatin e Shqiptarëve kudo që ndodhin. Dhe kjo luftë është më e rreptë pikërisht sepse është e padukshme: futet në bindje, në fjalor, në normalizime, në “hajt se s’ka gjë”.

Në këtë kuptim, apolitika jonë është dorëzim i terrenit. Kur shoqatat studentore heshtin, kush flet? Flasin ata që kanë interes. Flasin ata që kanë kontroll. Flasin ata që e përdorin komunitetin si instrument. Flasin ata që e kanë bërë politikën profesion, dhe shoqërinë dekor.
Atëherë, le të vendosim një problematikë të qartë, që të mos flasim me tym : a janë shoqatat studentore të diasporës sot hapësira të formimit politik dhe qytetar, apo janë thjesht menaxhere të aktivitetit social?

Nëse janë e para, heshtja është tradhti ndaj misionit. Nëse janë e dyta, atëherë mos i quani “përfaqësuese”, mos i përdorni fjalët “zëri ynë”, “kauza jonë”, “komuniteti ynë”. Sepse komuniteti nuk është dekor. Komuniteti është përgjegjësi.

E di që kjo që po them shokon. Mirë. Duhet të shokojë. Sepse kemi hyrë në një epokë ku gjithçka matet me “a na prish imazhin?” jo me “a është e vërtetë ?”, jo me “a është e drejtë ?”, jo me “a na takon të flasim?”, por me “a na sjell telashe?”.

Po çfarë është shoqata studentore pa telashe? Çfarë është universiteti pa konflikt idesh? Çfarë është rinia pa guxim? Çfarë është diaspora pa zë?

Nuk po kërkoj unanimitet. Nuk po kërkoj që të gjithë të kenë të njëjtën vijë. Përkundrazi : pluralizmi është shenjë jete. Por po kërkoj diçka më bazike: dinjitet intelektual. Të paktën një reagim kur ndodh diçka që e prek komunitetin. Të paktën një fjali e qartë kur padrejtësia bëhet normë. Të paktën një qëndrim kur historia shtrembërohet. Të paktën guximin për të thënë: “kjo nuk është në rregull”.
Sepse, ndryshe, po vazhdojmë të jetojmë në këtë teatër të vogël ku gjithçka është “projekt”, “event”, “rrjetëzim”, “fun”, “kulturë”, ndërsa jashtë, politika reale prodhon pasoja reale.

Dhe një ditë, kur të vijë momenti që do të na kërkojë llogari, qoftë individualisht, do të themi: “s’e kishim radhën”. Por historia nuk e njeh justifikimin “s’e kisha radhën”.

Nuk e keni rradhën, dhe nga mungesa e reagimit, kohezionit, nga mungesa e të qenurit politik, i keni hapë bulevard partive politike, degave dhe nen-degave te tyre në qytete evropiane. Gjë që, na ka nda dhe po vazhdon t’a bëj.

Shumë shoqata sot e konsiderojnë vetën jo-politike. Në Francë si në Zvicër, si në vend tjerë. Që nga ai moment, le t’ja vendosin drynin menjëherë se jo vetëm se i keni tradhtu paraardhësit e këtyre shoqatave, idenë e parë, por e keni tradhtu edhe vetëvetën duke e konsideruar se s’mund të keni mendim politik të strukturuar dhe të qartë.

Mos e merrni keq, s’jam duke folur nga një “kullë morale”. Jam pjesë e kësaj gjenerate, me të gjitha kontradiktat e saj. Por pikërisht sepse jam brenda, e di se çfarë po humbim: po humbim mundësinë për ta bërë diasporën jo vetëm vend ku ruhet identiteti, por edhe vend ku prodhohet orientim. Jo vetëm nostalgji, por edhe strategji. Jo vetëm fotografi me flamur, por edhe zë publik.

Dhe këtu është thirrja ime: mos e quani frikën “unitet”. Mos e quani heshtjen “pjekuri”. Mos e quani neutralitetin “virtyt”. Sepse në realitet, këto janë vetëm forma të bukura të një gjëje të shëmtuar: indiferencës.

Po e perfundoj me pyetje, sepse një shoqatë studentore që nuk jeton nga pyetjet, është e vdekur para se të mbyllet.

A mendoni vërtet se politika është diçka që mund ta shmangni, kur ajo ju prek çdo ditë?

A mendoni se “mosmarrja anë” është neutralitet, kur në fakt është gjithmonë anë, anë e status quo-së?

A e kuptoni se “të mos krijojmë trazira brenda” shpesh do të thotë “të mos i trazojmë rehatinë askujt”, edhe kur duhet?

Dhe pyetja më e rëndë: për çfarë shërben një shoqatë studentore, nëse jo për të qenë politikisht e gjallë?

Nëse kjo letër ju zemëron, mirë. Zemërimi është shenjë se ende nuk jeni indiferentë. Por mos e shpenzoni kundër meje. Shpenzojeni kundër heshtjes suaj. Sepse heshtja juaj nuk është thjesht mungesë zëri. Është një zë që i thotë botës: “bëni ç’të doni, nuk do të ndërhyjmë”.

Dhe, personalisht, nuk dua dhe se shoh veten të jetoj në një diasporë studentore që ekziston vetëm për të mos ndërhyrë. Dua një shoqata që mbajne mend pse u krijuan. Dhe një shoqatë që mban mend se “student” do të thotë : pyetje, konflikt, guxim, përgjegjësi, kerkesa, lufte idesh, dhe ndonjehere, thejsht, me shume !

E gjithë kjo si përfundim, duhet të pranohet si një thirrje për veprim dhe zgjim për shoqatat tona. Po i vjen fundi procesit gjyqësor në Hagë, i cili tanimë siç po shihet, do t’a cilësoj themelin e shtetit të Kosovës si “ndërrmarje kriminale”. I kemi bërë thirrje, nuk na janë përgjigjur shoqatat në fjalë.

Nga heshtja apo nga fjala, këto shoqata, do e mos dojnë kanë zgjedh njërën anë apo tjetrën të Historisë, dhe do e shkruajnë në librat shkollor: “Ato shoqata që një reagim të qartë politik, një ide politike nuk dinë të nxjernin nga goja, si rrjedhoj u asgjësuan nga partitë politike, u vetëvranë dhe fundosën komunitetin e tyre në mbrëmje tallava!”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i shoqëruar nga…