Dr. Hafir Shala – idealisti i përkushtimit për liri

15 prill 2026 | 20:50

Shkruan: Halit Krasniqi

Sot, në 28-vjetorin e rënies së Dr. Hafir Shalës, erdha sërish për të vendosur lule, pas ceremonive zyrtare dhe një udhëtimi nga një vend i largët evropian. Në këtë përvjetor më rikthehen kujtimet e njohjes sonë të parë dhe rrugëtimit të përbashkët në shërbim të idealit të lirisë — një vizion që e jetuam dhe për të cilin punuam pa u ndalur, nga Prishtina në Zagreb e kudo tjetër, pranë vendlindjeve tona.

Sot, atë liri e gëzojmë, por pa praninë fizike të idealistit të paepur, Dr. Hafir Shala. Jeta e përbashkët në kazamatin e Stara Gradishkës, bashkë me frymëzuesin tonë për liri, Nderin e Kombit Adem Demaçi, dhe shumë idealistë të tjerë, ku skalitnim projektin e lirisë, është një kapitull i gjatë që do të gjejë vend në një botim të posaçëm.

Më 30 shtator 1986, gjatë dënimit tim të tretë, pas një periudhe të gjatë izolimi në vetmi në burgun e Pejës, më transferuan në burgun e Prizrenit. Aty takova shokë të rinj, të dënuar për të njëjtin ideal: avancimin e statusit të Kosovës në Republikë. Pas një izolimi të gjatë, nata e parë me ta u shndërrua në një bisedë të pandërprerë deri në agim — një shpërthim shprese, dashurie dhe përkushtimi për lirinë.

Të nesërmen, më 1 tetor 1986 — ditë që shënonte hapjene dyerve të fakulteteve të Universitetit të Kosovës — ne, shumica studentë, në vend që të uleshim në amfiteatrot e fakulteteve tona, u përballëm me një tjetër realitet: prangat dhe rrugëtimin drejt kazamateve të RSFJ-së. Pa e ditur destinacionin, u nisëm nën masa të rrepta sigurie.

Në Prishtinë, para burgut, u bashkuam me të rinj të tjerë— ndër ta dy ish studentë të Zagrebit, Dr. Hafir Shala dhe inxhinieri Fehmi Lladrovci, por edhe udhëheqësi i organizatës atdhetare Xhabir Morina dhe komandanti Idriz Hyseni. Po ashtu, pjesë e atij transferimi ishte edhe heroi Remzi Ademi, i cili sot përjetësohet në shtatoren e tij në qendër të Prizrenit.

Udhëtimi kishte qenë drejt Zagrebit dhe nuk ishte veç një lëvizje në hapësirën e robëruar për ne; ishte një shteg me shumë pengesa, ku thurnim ëndrra — një horizont që na thërriste me zërin e së ardhmes. Në intuitën tonë thellohej bindja se brezi ynë do të lëvizte gurët e historisë, do t’ijepte asaj një drejtim të ri. Ishte një proces në të cilin përkushtimi ynë formësohej e piqej për idealin çlirimtar. Kjo nuk ishte thjesht utopi, por frymë, betim dhe frymëzim për jetën që do ta ndryshonim.

Sot, shumë nga ata me të cilët ndamë atë bindje janë kthyer në përjetësi — të derdhur në bronz, të skalitur në kujtesën e gurit, në buste e lapidarë, në emra sheshesh e institucionesh që mbajnë jehonën e tyre. Por, më shumë se kudo, ata jetojnë në kujtimet tona — të gjalla, udhërrëfyese — si një dritë që nuk shuhet, që na fton të mos harrojmë rrugën nga erdhëm dhe atë që ende na mbetet për të bërë.

Sot, në këtë homazh, qëndroj para shtatores së Dr. Hafir Shalës në Qendrën e Mjekësisë Familjare që mban emrin e tij, si dhe pranë shtatoreve të Fehmi dhe Xheve Lladrovcit, Adem Jasharit, Hamëz e Shaban Jasharit, Rasim Kiçinës, Ilaz Kodrës, Bedri Shalës dhe Asllan Fazliut duke vendosur nga një lule për rolin e madhështor në luftën çlirimtare dhe sakrificën e tyre.

Lidhjet personale dhe familjare që kam me secilin prej tyre më krijojnë emocione të veçanta dhe detyrimin që, pas homazheve të bëra te shtatorja e Dr. Hafir Shalës, të vazhdoja nëpër shesh me nderimet e tjera.

Ky homazh është një ecje nëpër historinë tonë të ndritshme e të lavdishme; mbetet një shenjë nderimi dhe kujtimi për të gjithë ata që kontribuuan në rrugën tonë drejt lirisë. Lavdi jetës dhe veprës së tyre që ne e gëzojmë sot!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: NAZMI JUSUFI Samiti i katërt i diasporës në Tirana…