Xavi me kërkesë të veçantë ndaj Tottenhamit
Pas shkarkimit të Thomas Frank paraditen e sotme, si pasojë e rezultateve të dobëta në javët e fundit në Premier League, Tottenham ka nisur menjëherë punën për gjetjen e trajnerit të ri.
Sipas mediave angleze, emri i parë në listën e londinezëve është Xavi Hernandez. Tekniku spanjoll ka qenë i lirë që prej largimit nga Barcelona dhe shihet si një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e skuadrës.
Për Xavin ka pasur interes edhe më herët nga klube të ndryshme të Premier League, por ai nuk ka pranuar, duke vlerësuar se projektet e ofruara nuk ishin të përshtatshme. Raportimet tregojnë se 44-vjeçari kërkon një projekt afatgjatë dhe rol kyç në vendimmarrje, veçanërisht sa i përket afrimeve dhe largimeve në merkato.
Përveç Xavi Hernandez, në orët e fundit është përmendur edhe emri i Roberto De Zerbi. Italiani është aktualisht i lirë pas largimit nga Olympique Marseille, pas një periudhe me rezultate të paqëndrueshme.
Tottenham pritet të marrë një vendim në ditët në vijim, ndërsa objektivi kryesor mbetet rikthimi i stabilitetit dhe rezultateve pozitive në kampionat.



