Presidenti Ademi merr pjesë në Kongresin e 50-të të UEFA-s në Bruksel

12 shkurt 2026 | 14:00

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka marrë pjesë në Kongresin e 50-të të UEFA-s në Bruksel. Ademi ka bërë me dije se në këtë kongres janë marrë vendime të rëndësishme, të cilat dëshmojnë përkushtimin e vazhdueshëm të UEFA-s ndaj forcimit të integritetit, transparencës dhe zhvillimit të qëndrueshëm të futbollit në të gjitha nivelet.

“Së bashku me nënkryetarin Bakir Burri dhe sekretarin e përgjithshëm, Markus Weidner morëm pjesë në Kongresin e 50-të të UEFA-s në Bruksel. Në këtë ngjarje me rëndësi të veçantë për zhvillimin, qeverisjen dhe të ardhmen e futbollit evropian pati diskutime konstruktive dhe u morën vendime të rëndësishme, të cilat dëshmojnë përkushtimin e vazhdueshëm të UEFA-s ndaj forcimit të integritetit, transparencës dhe zhvillimit të qëndrueshëm të futbollit në të gjitha nivelet”, ka shkruar Ademi në “Facebook”.

Ai ka thënë se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe vizioni i përbashkët janë thelbësore për përballimin e sfidave dhe shfrytëzimin e mundësive që ofron futbolli modern.

“Ndryshimet në garat evropiane në nivel klubesh, zhvillimi i futbollit të vajzave, reformat në qeverisjen e mirë me fokus te qëndrueshmëria, partneriteti dhe projektet me përgjegjësi sociale ishin vetëm disa nga temat që u diskutuan. Federata jonë mbetet e përkushtuar të kontribuojë aktivisht në vizionin, politikat dhe iniciativat e UEFA-s, me synimin për të avancuar standardet organizative, sportive dhe zhvillimore, si dhe për të ndërtuar një futboll më të fortë, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm”, ka shkruar Ademi.

Më tutje, Ademi ka treguar se do të marrë pjesë edhe në ceremoninë e hedhje së shortit për Ligën e Kombeve që do të mbahet sot në Bruksel.

“Ndërkohë, në orën 18:00, vëmendja do të zhvendoset te shorti për Ligën e Kombeve, një moment i rëndësishëm për Kombëtaren tonë dhe për planifikimin e fazës së ardhshme garuese. Me besim në punën dhe përkushtimin e të gjithë anëtarëve të familjes së madhe të futbollit në vendin tonë, urojmë që të kemi fat në short dhe të vazhdojmë të përfaqësohemi me dinjitet në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Ademi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka kërkuar që klienti…