Haradinaj merr pjesë në rivarrimin e dëshmorit Jeton Hoxha
Ish-komandanti i Dukagjinit, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramush haradinaj ka marrë pjesë në rivarrimin e dëshmorit të kombit, Jeton Hoxha, në Jablanicë të Gjakovës. “Sot, në prag të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, me shumë miq, bashkëluftëtarë e familjarë, mora pjesë në rivarrimin e dëshmorit Jeton Hoxha. Ai, nga sot, do të prehet pranë bashkëluftëtarëve të idealit, në Shqiponjë të Dushkajës, trevë e shumë luftëtarëve të zotë që i dhanë kahje luftës kundër armikut.”, ka shkruar Haradinaj.
Njoftimi i plotë i tij:
Shqiptarët ndër shekuj luftuan për liri në trojet e tyre. Shumë vuajtje e shumë sakrifica kaluam si popull; shumë shqiptarë ndër breza u flijuan për liri e shtet, ëndërr e cila u kurorëzua nga lufta çlirimtare e UÇK-së. Sot, në prag të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, me shumë miq, bashkëluftëtarë e familjarë, mora pjesë në rivarrimin e dëshmorit Jeton Hoxha. Ai, nga sot, do të prehet pranë bashkëluftëtarëve të idealit, në Shqiponjë të Dushkajës, trevë e shumë luftëtarëve të zotë që i dhanë kahje luftës kundër armikut. Sakrifica e Jetonit dhe e shumë dëshmorëve të tjerë na obligon që të forcojmë shtetin tonë dhe të ruajmë me nder lirinë për të cilën u derdh gjak.
Përgjithmonë krenar me heronjtë tanë dhe me rrugëtimin tonë drejt lirisë!



