18 vjet shtet, Osmani në Kuvend: UÇK-ja ishte shtylla e shpresës, historia s’mund të rishkruhet

17 shkurt 2026 | 11:03

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se 18 vjet më parë, vendi është ngritur nga vuajtja në dinjitet, nga rezistenca në shtetësi, duke dëshmuar se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme.

E para e vendit, ka thënë se Pavarësia e Kosovës është fituar me mund e gjak, dhe nga njerëz që s’u dorëzuan kurrë për liri.

“18 vjet më parë, Kosova u ngrit nga vuajtja në dinjitet, nga rezistenca në shtetësi, duke dëshmuar kështu se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme. 18 vjet më parë, Kosova u shpall shtet i lirë, i pavarur dhe sovran, duke i dhënë fund një udhëtimi të gjatë dhe të dhimbshëm, por edhe duke hapur një kapitull të ri të historisë sonë kombëtare. Pavarësia e Kosovës u fitua me mund, me gjak, me sakrificë dhe durim shekullor. Ajo u ndërtua nga ata që u persekutuan, u burgosën, u dënuan por asnjëherë nuk u dorëzuan”, ka thënë Osmani.

Nga ana tjetër, Osmani ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj.

“Ajo është zemra e rezistencës kombëtare dhe përgjigja e një populli të shtypur nga regjimi gjenocidal. Kjo luftë ishte gjithnjë e drejtë, gjithnjë e pastër dhe gjithnjë e domosdoshme. Çdo përpjekje për ta njollosur atë, për ta barazuar viktimën me agresorin, është jo vetëm e padrejtë, por edhe historikisht e pavërtetë dhe e papranueshme. Krerët e UÇK-së që sot gjinden në Hagë, së bashku me mijëra luftëtarë të tjerë, u ngritën për liri, për dinjitet dhe për të drejtën për të jetuar të lirë. Lufta e UÇK-së ishte shtylla jonë më e fuqishme e rezistencës dhe shpresës”, ka thënë Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryediplomatja shqiptare, Elisa Spiropali ka uruar Kosovën në 18-vjetorin e…