Kurti: Lufta e UÇK-së ishte luftë e kulluar çlirimtare, parada sot nuk është demonstrim force, por dëshmi e pjekurisë së shtetit

17 shkurt 2026 | 12:48

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij para se të fillonte parakalimi i trupave të FSK-së dhe Policisë së Kosovës, ka thënë se parada e sotme nuk është demonstrim force përballë dikujt, por dëshmi e modernizimit dhe pjekurisë së shtetit si dhe aftësisë për të mbrojtur vetën, duke kontribuar në paqen rajonale e botërore.

Po ashtu, Kurti ka thënë se nuk do t’i mbyllin sytë as para padrejtësisë që po bëhet ndaj drejtuesve të UÇK-së në Hagë, duke theksuar se besojnë në drejtësi, por nuk do të lejojnë të rishkruajnë historinë.

“Sot shënojmë 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Një shtet i lindur nga rezistenca paqësore e nga sakrifica popullore, nga lufta çlirimtare dhe nga ndërhyrja ndërkombëtare. Më 17 shkurt 2008, të zgjedhurit e popullit tonë në mënyrë demokratike e shpallën Kosovën shtet të pavarur në një mbledhje historike në Kuvendin e vendit tonë. Shqiptarëve iu realizua një aspiratë politike, kurse Evropës demokratike iu shtua një shtet i ri me orientim gjeopolitik dhe gjeostrategjik drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Por liria e Kosovës nuk filloi atë ditë para 18 vitesh. Liria e Kosovës është ngjizur shumë më herët, me përpjekjen e parreshtur ndër breza, me qëndresë të pamposhtur dhe me luftën e drejtë të UÇK-së, e cila bashkë me bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë së Millosheviçit, i dha fund një regjimi shtypës dhe i hapi rrugë shtetësisë sonë. Sot përkulemi para dëshmorëve të kombit dhe rënëve për lirinë tonë. Ata nuk janë vetëm pjesë e historisë, ata janë themelet e Republikës. Nderojmë invalidët e luftës dhe veteranët e UÇK-së, si dhe i falënderojmë aleatët tanë ndërkombëtarë që qëndruan në anën e lirisë, në anën e së drejtës historike. Në këtë ditë feste, nuk i mbyllim sytë para padrejtësive. Disa nga drejtuesit e luftës sonë çlirimtare po vazhdojnë të mbahen në paraburgime të stërzgjatura në Hagë, në procese gjyqësore jo transparente dhe krejt të pashembullta për praktikat e drejtësisë ndërkombëtare. Ne besojmë në drejtësi, por nuk pranojmë ta rishkruajmë historinë. Lufta e UÇK-së ishte luftë e kulluar, çlirimtare dhe antikoloniale. Një luftë e drejtë e një populli të okupuar e të shtypur nën aparteid dhe kjo është një e vërtetë që nuk mund të ndryshojë asnjëherë”, ka thënë Kurti. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Brohoritje e duartrokitje janë dhënë teksa Rifat Jashari po kalonte…