37 të vdekur nga thithja e monoksidit të karbonit në një minierë në Nigeri
Të paktën 37 minatorë vdiqën nga helmimi me monoksid karboni në një minierë në Nigeri, thanë të mërkurën një burim brenda policisë dhe një raport i sigurisë të cilin e pa agjencia “Reuters”.
Incidenti ndodhi rreth orës 5 e 45 minuta të mëngjesit në Kampani, sipas raportit. 25 minatorë të tjerë u dërguan në spital.
Ministri i Zhvillimit të Mineraleve të Ngurta, Dele Alake, tha se zona ishte e braktisur dhe me rrezik për lirimin e gazrave helmuese. Fshatarët, të pavetëdijshëm për natyrën helmuese të gazrave, thuhet se hynë në tunel për të nxjerrë minerale dhe e thithën gazin, shtoi ai.
Alake dha urdhër për mbylljen e zonave të minierave që mbulohen me licensën 11810 pas vdekjes së fshatarëve që dyshohet se ishin duke mihur në një hapësirë që përmbante gazra të rrezikshme.
Forcat e sigurisë e kanë rrethuar zonën për t’ua parandaluar qasjen njerëzve të tjerë.
Shumica e minierave në Nigeri veprojnë ilegalisht, me masa të kufizuara të sigurisë dhe minatorëve shpesh u mungojnë pajisjet mbrojtëse.



