Britania drejt rregullave më të rrepta të emigracionit, Shabana Mahmood sot sqaron masat
Ministrja e Brendshme e Britanisë, Shabana Mahmood, pritet të paraqesë sot ndryshimet në rregullat e emigracionit. Në qendër të deklaratës do të jenë kushtet më të kufizuara dhe zgjatja e pritjes për të marrë leje qëndrimi të përhershëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Propozimet u paraqitën për herë të parë në nëntor 2025 dhe synonin të zgjasnin afatin aktual pesëvjeçar për marrjen e statusit të qëndrimit të përhershëm, të njohur si Indefinite Leave to Remain (ILR).
Me këtë status, emigrantët mund të jetojnë, të punojnë dhe të studiojnë në Britani pa afat kohor. Ai u jep gjithashtu mundësi të përfitojnë nga disa skema të ndihmës sociale.
Në versionin fillestar të propozimeve, punonjësve të huaj të kujdesit social mund t’u duhej të prisnin deri në 15 vjet për të siguruar qëndrimin e përhershëm. Sipas informacioneve të bëra publike, masat mund të zbuten, duke përjashtuar nga rregullat e reja punonjësit e këtij sektori që jetojnë tashmë në Britani.
Sekretarja e Strehimit, Angela Rayner, e kishte kundërshtuar më parë zbatimin prapaveprues të ndryshimeve. Ajo e cilësoi atë si “un-British” (jo britanike), sidomos nëse prek emigrantët që ndodhen tashmë në vend.
Mahmood e ka mbrojtur zgjatjen e afatit me argumentin se shumë emigrantë të ardhur ligjërisht në Britani po i afrohen plotësimit të kushteve për qëndrim të përhershëm. Sipas saj, rritja e emigracionit neto pas Brexit-it, gjatë qeverisjes së mëparshme konservatore, e ka bërë të nevojshëm ndryshimin e sistemit.
Duke iu referuar të dhënave të Komitetit Këshillimor për Migracionin (Migration Advisory Committee), ministrja paralajmëroi se kjo situatë mund t’u kushtojë taksapaguesve deri në 10 miliardë paund përgjatë jetës së personave përfitues.
Në një fjalim të mbajtur në mars, Mahmood tha se Britania kishte regjistruar gjatë viteve 2021-2024 nivele emigracioni që më parë ishin shënuar në një periudhë prej katër dekadash.
Ajo shtoi se, brenda pesë viteve të ardhshme, rreth 350 mijë punonjës me kualifikim të ulët dhe familjarët e tyre, të ardhur në Britani me viza për shëndetësinë dhe kujdesin social, do të plotësonin kushtet për të kërkuar qëndrim të përhershëm. Marrja e këtij statusi do t’u jepte edhe të drejtën për të përfituar nga disa skema sociale.
Konsultimi publik njëvjeçar i qeverisë për reformat e propozuara ka marrë mbi 200 mijë përgjigje.
Nga deklarata e sotme e Mahmood pritet të mësohet se cilat masa fillestare do të mbeten në fuqi, nëse emigrantët që jetojnë dhe punojnë tashmë në Britani do të përjashtohen nga ndryshimet dhe sa do të zgjatet pritja për statusin e qëndrimit të përhershëm.



