Britania nuk i jep leje SHBA-ve për përdorimin e bazave ushtarake për sulme ndaj Iranit

19 shkurt 2026 | 20:12

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk i ka dhënë leje Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përdorur bazat ushtarake britanike në rast të një sulmi të mundshëm ndaj Iranit, raporton BBC.

Sipas burimeve zyrtare, Londra nuk ka autorizuar përdorimin e bazave RAF Fairford në Gloucestershire apo bazën strategjike në ishullin Diego Garcia, që ndodhet në Oqeanin Indian dhe administrohet nga Britania në Ishujt Chagos. Këto baza janë përdorur më parë nga SHBA-të për operacione ushtarake në Lindjen e Mesme.

Raportime nga gazeta “The Times” sugjerojnë se kritikat e fundit të presidentit amerikan Donald Trump ndaj marrëveshjes së kryeministrit britanik Keir Starmer për Ishujt Chagos mund të lidhen me faktin që Britania nuk ka dhënë leje për përdorimin e bazave, që mund të përdoreshin për ta sulmuar Iranin.

Presidenti Trump ka paralajmëruar se brenda “10 ditëve të ardhshme” do të bëhet e qartë nëse SHBA-të do të arrijë një marrëveshje me Iranin për programin e tij bërthamor apo do të ndërmarrë veprime ushtarake. Uashingtoni ka shtuar praninë ushtarake në rajon, duke zhvendosur anije luftarake dhe avionë, lëvizje që ngjan me skenar të mundshëm sulmi.

Nga ana tjetër, zhvillime pozitive janë raportuar në bisedimet mes negociatorëve amerikanë dhe iranianë në Zvicër. Qeveria britanike ka deklaruar se mbështet procesin diplomatik dhe ka theksuar se prioriteti i saj mbetet siguria rajonale dhe parandalimi i pajisjes së Iranit me armë bërthamore.

Një zëdhënës i qeverisë britanike nuk preferoi të komentojë më tepër. “Si zakonisht, ne nuk komentojmë çështje operative”. Ai shtoi se Irani nuk duhet të lejohet kurrë të zhvillojë armë bërthamore dhe se Britania po punon me aleatët për këtë qëllim.

Sipas marrëveshjeve ekzistuese, SHBA-të duhet të kërkojë paraprakisht leje për të përdorur bazat ushtarake britanike për operacione luftarake. Në të kaluarën, baza RAF Fairford dhe objekte të tjera në territorin britanik janë përdorur nga SHBA-të, por me miratimin e plotë të Londrës. Çështja e përdorimit të bazave lidhet ngushtë edhe me të drejtën ndërkombëtare. Sipas kësaj të fundit, një shtet që mbështet një veprim ushtarak të një shteti tjetër, duke qenë në dijeni të rrethanave, mund të konsiderohet bashkëpërgjegjës për pasojat.

Ndërkohë, tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit mbeten të larta, ndërsa përmenden opsionet e diplomacisë dhe kërcënimit me forcë ushtarake. Vendimi i Britanisë për të mos dhënë leje në këtë fazë tregon kujdesin e Londrës për të shmangur përfshirjen direkt në një konflikt të ri në Lindjen e Mesme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë falënderuar kryeministrin Edi…