Aktakuzë ndaj Shefik Rexhepit dhe Bashkim Osmanit për miliona euro fajde- Biznesmeni Naim Berisha përfundoi me 943 mijë euro borxh

22 shkurt 2026 | 02:03

Prokurori Rasim Maloku ka ngritur aktakuzë ndaj 27 personave. 25 prej tyre akuzohen se dhanë para me fajde, ndërkaq 2 të tjerë akuzohen për veprën penale “detyrim”.

Para ngritjes së aktit akuzues, në mars dhe maj të 2023-tës, ishin bastisur disa shtëpi, autosallone e lokale në disa qytete të Kosovës.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Bashkim Osmani- pronar i kompanisë “Dona Laberion” dhe Shefik Rexhepi-pronar i kompanisë “Euro-Abi”, akuzohen se i kanë dhënë 700 mijë euro me fajde Abdurrahman Hasanit, pronarit të kompanisë ndërtimore “Bashkimi Projekt”, prej të cilave kanë marrë 70 mijë euro në muaj në emër të kamatës së fajdes. Më pas i kanë dhënë edhe 230 mijë euro material ndërtimor (armaturë), ku borxhi total kishte arritur 980 mijë euro dhe për pasojë Hasani ka paguar 1 milion euro në emër të fajdes.

Pos Hasanit, Rexhepi akuzohet se para me fajde i ka dhënë edhe pronarit të hotelit “Golden”, Xhevdet Shala. Të njëjtit ai i ka dhënë armaturë në vlerë prej 500 mijë euro, me 2 mijë euro kamatë të fajdes për kamion dhe 10 cent më shtrenjtë për kilogram të armaturës.

Osmani, gjithashtu akuzohet se gjatë viteve 2020 dhe 2021 i kishte dhënë 200 mijë euro më fajde biznesmenit Naim Berisha, i cili është pronar i kompanisë ndërtimore “Berisha Group”. Këtij të fundit i është dashur të paguajë 12 mijë euro në muaj në emër të kamatës së fajdes.

Sipas aktakuzës së ngritu në dhjetor të vitit 2025, Berisha është detyruar të marrë edhe 200 mijë euro material ndërtimore me kushte të njëjta, ku pas një periudhe borxhi i është rritur në 943 mijë euro. I gjendur përballë kësaj situate, ai është dashur të marrë 700 mijë euro kredi për të paguar borxhin e fajdes. Por dhënia e 700 mijë eurove nuk ka mjaftuar, pasi që për të paguar borxhin e fajdes ai e ka dhënë edhe një banesë në vlerë 70 mijë euro. Përveç këtyre shumave të paguara në emër të fajdes, Osmani i ka kërkuar Berishës edhe një shumë prej 280 mijë euro.

Sipas prokurorit Rasim Maloku, dhënia e fajdeve nga Bashkim Osmani nuk kishte përfunduar me kaq, pasi që pronari i “Dona Laberion” akuzohet se në vitin 2022 i ka dhënë 80 mijë euro më fajde Besim Gashit, pronarit të “NTP Blendi”. Më pas të njëjtit i ka dhënë edhe 63 500 euro me fajde që pas dy muajsh t’i kthej 80 mijë euro.

Në aktakuzën e prokurorit Rasim Maloku të ngritur më 15 dhjetor 2025, i pandehuri Bahri Abazi akuzohet se i ka dhënë para me fajde pronarit të “Golden”, Xhevdet Shalës, shuma e të cilave ka arritur deri në 500 mijë euro, prej të cilave i dëmtuari ka paguar rreth 250 mijë euro fajde.

Ndërsa, Nexhmi Abazi akuzohet se i ka dhënë 30 mijë euro me fajde Xhevdet Shalës, për të cilën kamata mujore ka qenë 10%. Për këto 30 mijë euro, i dëmtuari ka paguar 30 mijë euro të tjera vetëm fajde. Nexhmi Abazi akuzohet edhe se i ka dhënë Besim Gashit, pronari të “NTP Blendi” 20 mijë euro me fajde, ku kamata dy javore ka qenë 2500 euro, raporton Veri.Info, transmeton Insajderi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në historinë e lavdishme të rezistencës sonë kombëtare, emri i…