Sa shumë investime ka siguruar Trumpi?
Donald Trump në javët e fundit ka lavdëruar aftësinë e tij për të siguruar investime në SHBA, disa prej të cilave ai i atribuon tarifave.
Presidenti amerikan thotë shpesh se SHBA-ja është “vendi më i nxehtë në botë” – siç bëri edhe mbrëmë – dhe një nga arsyet për këtë është shuma e parave që ai thotë se po hyjnë në SHBA.
Një shifër që ai ka përmendur është 18 trilionë dollarë. Si shpesh ndodh me Trumpin, kjo shifër nuk bazohet në asnjë provë të qartë, shkruan skynews.
Në fakt, ai nuk ka ofruar asnjë provë se ka siguruar kaq shumë investime vendase apo të huaja (megjithëse shifrat më konkrete janë gjithashtu të mëdha).
Faqja zyrtare e Shtëpisë së Bardhë jep një shumë prej 9.6 trilionë dollarësh – dhe kjo shifër duket se përfshin disa angazhime investimesh që janë bërë gjatë presidencës së Joe Bidenit.
Trump ka pretenduar rregullisht shifra të larta investimesh pa dhënë detaje që ta mbështesin atë.
Dyshimet mbeten – por shifrat janë ende kolosale
Sipas një hulumtimi muajin e kaluar nga Instituti Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, premtimet e investimeve qëndrojnë në pesë trilionë dollarë.
Këto vijnë nga Bashkimi Evropian, Japonia, Koreja e Jugut, Tajvani, Zvicra, Lihtenshtajni, Arabia Saudite, Katari, Bahrejni dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Dhe lindin dyshime nëse paratë do të materializohen vërtet, pjesërisht sepse marrëveshjet janë të paqarta dhe ndonjëherë sepse vendet mund të kenë vështirësi për të përmbushur angazhimet.
Megjithatë, të gjitha shifrat janë kolosale.
Investimi total privat në SHBA kohët e fundit ishte në ritëm vjetor prej 5.4 trilionë dollarësh.
Në vitin 2024, viti i fundit për të cilin ka shifra, investimi total i huaj direkt në SHBA arriti në 151 miliard dollarë.
Investimi i drejtpërdrejtë përfshin paratë e investuara në gjëra të tilla si fabrika dhe zyra, por jo investimet financiare – si aksionet dhe obligacionet.



