Bedri Hamza: Presidenti duhet të jetë figurë uniteti, jo produkt i kalkulimeve partiake

22 shkurt 2026 | 19:16

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryeministrit Albin Kurti për të diskutuar mbi zhvillimet politike dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit.

Hamza theksoi se zgjedhja e Presidentit nuk është çështje e një partie të vetme, por përgjegjësi e përbashkët e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve.

“Sot iu përgjigja pozitivisht ftesës për takim, sepse zgjedhja e Presidentit është çështje që i përket të gjithëve neve si përfaqësues të popullit,” u shpreh ai.

Kreu i PDK-së nënvizoi se si subjekt opozitar, partia që ai drejton nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pengesë e proceseve shtetërore. Megjithatë, ai sqaroi se PDK nuk do të mbështesë kandidatura që, sipas tij, nuk përfaqësojnë unitetin qytetar dhe frymën kushtetuese.

Hamza apeloi për reflektim nga ana e atyre që kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidaturën për President, duke kërkuar që të shmangen kalkulimet afatshkurtra partiake dhe të synohet një emër me mbështetje të gjerë politike e qytetare.

“Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë. Për ne, interesi shtetëror është mbi çdo kalkulim politik dhe këtë standard e mbrojmë me vendosmëri,” përfundoi ai.

Link: https://www.facebook.com/share/p/1Dg5mazzhi/?mibextid=wwXIfr

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria ka kërkuar paraburgim prej 30 ditësh ndaj një të…