SAMURAI RAMA DHE “GEISHA” OSMANI!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Bashkëdyzim i mashtrimit: Presidentja në ikje, shpresoj pakthyeshëm, Vjosa Osmani i ndezi motorët edhe për një mandat duke shfrytëzuar të gjitha levat vendore, rajonale dhe ndërkombëtare. Duke përdorur tërë arsenalin në një luftë të cilën mendoi se e ka fituar pa hyrë fare në fushën e betejës. Brenda Kosovës nuk kishte fare kundërshtarë, ashtu i bënte llogaritë kjo, partia të cilën e masakroi duke e ndarë në dysh, LDK-në ende ia mbante zhagun hiç disave me karakter dhe dinjitet. Nëse dikush ka merita që Kurthi e bëri Kosovën pronë private janë krahu i luftës dhe Vjosa Osmani. Tash, promotorët dhe katalizatorët e fitoreve të Kurthit brutalisht po shkelen pikërisht nga Kurthi, i “biri” i tyre besëprerë. Vjosa Osmani ka bërë shumë mëkate në përpjekje për të siguruar edhe mandatin e dytë. Ka besuar se si rrogëtare besnike e Kurthit, e ka bekimin e “Babës” sikur që ka qenë e sigurt se edhe LDK-ja e masakruar pikërisht nga Osmani do të qëndrojë në sallë për të kaluar në raundin e tretë, sikur kur e fitoi mandatin e parë. Për votat e Listës Serbe, me plotë të drejtë është mbështetur te Mimoza Kusari duke e ditur afërsinë e saj me LS-në dhe zemlakun Milan Radoiçiq. Simulimi i “paduegjëshmërisë” së Vjosa Osmanit ndaj autokratit Kurthi duke e ngritur zërin disa oktava e që nuk i durojnë veshët e Kurthit, në fakt ishte një shantazh drejtuar Kurthit dhe zhurmues ndaj reagimit të një pjese të publikut për anshmërinë dhe vartësinë patologjike të saj ndaj Kurthit. Harroi se Kurthi e ka çelësin kryesor dhe të vetëm të derës për të hyrë në Zyre të Presidentit. Në mandatin e parë Vjosa Osmani e ka përdorur çelësin rezervë. Vjosa Osmani ia ka plotësuar të gjitha kërkesat e Kurthit duke qenë pjesë aktive e keqpërdorimeve zgjedhore të Kurthit. Duke e caktuar 28 dhjetorin ditë dhe datë për zgjedhje. Mendoi se kjo do të ishte vota kryesore edhe për një mandat tjetër. Duket se gaboi. Nëse në vitin 2021 i duhej Vjosa për vota pasi e përgjysmoi LDK-në tash nuk ka asnjë nevojë për të. Presidentja në ikje është pa parti, nuk ka guxim as të kthehet në “Guxo”, kthimi eventual në LDK-në është kthimi në vendin e krimit, nuk mund të kacavirret më për Albinin prandaj është drejt zhdukjes politike. Edhe e ka merituar, pa asnjë dyshim. Tash është në mëshirën e Kurthit dhe vetëm të Kurthit. A do të mëshirohet Kurthi? Hiç dhe asnjëherë sidomos nëse vlerëson se dikush “ia shkelë këmbën ..”. Qoftë edhe pa qëllim! Dikush mund të thotë se do të ketë luftë midis dy titanëve, unë them se është shkurorëzim midis dy mashtruesve dhe dy të pabesëve. Gjatë rrugëtimit të tyre karrierist, nuk kanë lënë kënd pa e mashtruar dhe pa e prerë në besë! Prandaj fundin nuk e kanë, as të mirë, as të ndershëm e as dinjitoz.
Aleatët pa vota: Kur Vjosa Osmani e nuhati se po treten mundësitë e përkrahjes nga Albin Kurthi, iku te Rama, Edvin Rama ku kërkoi krahun për të qarë dhe litarin e shpëtimit. Rama gënjeu publikisht se Vjosa Osmani ka qenë e rrezikuar nga hetues të Gjykatës Speciale Raciste që qenkan përpjekur, sipas Ramës pa sukses, të marrin materiale nga Zyra e saj. Krejt e pavërtetë; hetuesit ishin aty duke e bërë punën e tyre të ndyrë. Madje, u ftuan ndërkombëtarët që të sigurohej objekti për të pamundësuar largimin apo asgjësimin e ndonjë materiali që do ta ndihmonte Presidentin Thaçi. E tash patriote, përkrahëse e UÇK-së, në ballë të protestave. Sa të mjerë jemi, sa shpejt e harrojmë të kaluarën edhe kur e prekim me hundë! Rama u bë samuraj i “geishës” Osmani duke e detyruar Donald Trampin ta thërras Vjosën në “Bordin e Paqes” ndërmarrje personale dhe familjare e Trampit për të bërë biznes në kurriz të fatkeqësive të të tjerëve. Pastaj Vjosa Osmani iku në Amerikë në takimin e parë të Bordit të Paqes duke kapur çdo mundësi kontakti me Trampin dhe të tjerët për të dëshmuar se është njeri i amerikanëve dhe se pa të e pati puna jonë! Si xhoker e kishte takimin me Rubion dhe përrallën se me Trampin paska biseduar për gjykimin e padrejtë në Hagë! Dhe se paskan marrë garanci të forta nga Trampi. Rrenë mbi rrenë, Trampi nuk ka treguar kurrfarë interesimi për Hagën! Luftën me Jack Smith, ish kryeprokuror e ka personale e jo se ai i ka dhunuar të drejtat e njeriut Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Salih Mustafës. Në fund, kryeprokurorja dhe kryetari i trupit gjykues janë amerikanë, janë pjesë e këtij procesi të montuar politik! Sa për Albin Kurthin, Vjosa Osmanin, Glauk Konjufcën, Albulena Haxhiun dhe Shvarc Donikën, po të vendosnin këta, kryeprokurorja West dhe kryegjykatësi Smith do të dukeshin të mëshirshëm! Këta që i përmenda shiten si pjesa patriotike e LV-së, thirren në UÇK – në kur kanë nevojë, bëjnë homazhe dhe deklarohen sikur të ishin pjesë e familjes Jashari! Kohë pa Etos është titulli i publikimit të Besim Baraliut, i burgosur politik dhe ushtar i UÇK-së që e promovon më 26 shkurt, nesër në Prishtinë, në ditëlindjen e Abetares së Lirisë dhe Bashkimit Kombëtar, të Amshueshmit Bacë Adem Demaçit. Ky titull më së shumti iu përshtatet patriotëve të rremë që i kanë kapur majat e pushtetit duke ia shkundur themelet shtetit!
Loja e presidentit: Përkundër akrobacioneve të Vjosa Osmanit duket se LV-ja nuk ia bënë votat. Ata që Vjosa Osmani u përpoq t’i përdorë edhe për një mandat nuk janë deputetë të Kosovës, janë amerikanë dhe të tjerë që nuk kanë të drejtë vote. Gjëja e fundit me të cilën do të merret Trampi është nëse Vjosa Osmani do ta fitojë edhe një mandat. Amerikanët dhe vendimmarrësit bisedojnë me ata që kanë pushtet, Vjosa nuk ka kurrfarë pushteti, madje as pushtet moral.
Albin Kurthi nuk po tregon vullnet ta rikandidojë Vjosa Osmanin edhe për një mandat. Tash i është rikthyer familjes Jashari. Edhe në vitin 2021 pati deklaruar se: “ka ardhur koha ta kemi një president nga familja Jashari..” Dhe, e bëri …Vjosa Osmanin! Tash, shkon në 12 të natës në Prekaz me bisedua për politikë me …..Rifat Jasharin. Paraprakisht takohet me Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun për “konsultime” për presidentin. Nuk e kam të qartë çka kërkojnë aty Hamza dhe Abdixhiku kur Kurthi as që e merr parasysh mendimin e tyre! Nuk është hera e parë që familjen Jashari e fusin në lojën e manipulimit për përfitime politike. Murat Jasharin e futën në lojë për Avokat të Popullit për ta larguar nga gara për president. As nuk u bë Avokat i Popullit as president. Në vitin 2021 përsëri u përfol Murat Jashari për president. Nuk e bënë. Tash përsëri po përfolët emri i Murat Jasharit për president. Ose do të jetë: “e treta, e vërteta, ose mashtrimi i radhës..”. Familja Jashari duhet t’i përballojë këtij tundimi nëse nuk dëshiron të jetë pjesë e mashtrimit! Statusi i tyre duhet të jetë mbi çdo parti, mbi çdo përcaktim dhe anim politik, duhet ta ruajnë shenjtërinë e të rënëve që u hyjnizuan dhe do të bashkëjetojnë për aq kohë sa do të ketë shqiptarë dhe shqiptari! Mision i vështirë por jo edhe i pamundur!
Nëse bëhen pjesë e manipulimit dhe interesit politik do të jenë humbësit më të mëdhenj. Albin Kurthi dhe LV-ja nuk i respektojnë as të burgosurit politikë e as luftën e lavdishme të UÇK-së. Sigurisht as familjen Jashari dhe familjet tjera kombëtare dhe sakrifikuese. Po të ishte kështu nuk do ta mbillnin pjellën serbe dhe antikombëtare në të gjitha poret e pushtetit, thuaja e tërë qeveria, me shumë pak përjashtime është e tillë. Hiç nja 5 deputetëve, më gjeni ndonjë tjetër që iu vije era kombëtare! Prandaj është pafytyrësi të manipulohet me familjen Jashari! Njeriu i përgjegjshëm nuk bëhet pjesë e këtij manipulimi, as edhe duke votuar!
Albin Kurthi e ka të qartë se nuk ka rrugë tjetër përveç zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit që e federalizon Kosovën duke siguruar autonomi politike dhe territoriale përmes vetmenaxhimit që është shumë më i rrezikshëm se Zajebnica. Për këtë i duhet një rrufepritës, një autoritet i pakundërshtueshëm që do ta përdorë si Irone Dome – Mburoja e Hekurt e që mendon të jetë familja Jashari. Për këtë arsye ka “zbutur” qasjen ndaj opozitës. Kurthi me e ushtruar pushtetin absolut kurse gjatë marrjes së “vendimeve të vështira” përgjegjësinë ta ndajë me opozitën! Deti atëherë argëtohuni me të qenit anëtar i Bordit të Paqes në të cilin 80 për qind të anëtarëve janë kundër paqes dhe vende autoritare! Gjithashtu, krenohuni që FSK-ja po dërgohet në Gaza në mision paqësor kur edhe vet Kosova varet prej një misioni paqësor të Kombeve të Bashkuara! Çfarë paradoksi!



