Incident i rëndë në KEK, vdes një punëtor
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se sot (e premte) ka ndodhur një incident në Termocentralin “Kosova B”, ku është përfshirë një mjet transportues kamion dhe një punonjës.
Si pasojë e këtij incidenti, një 55-vjeçar – punonjës ka ndërruar jetë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë zyrtarët e KEK-ut, Policia e Kosovës dhe ekipet mjekësore të cilat kanë konfirmuar se viktima ka ndërruar jetë.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.), njofton me keqardhje të thellë se sot, në Termocentralin ‘Kosova B’, ka ndodhur një incident i rëndë, ku është përfshirë një mjet transportues kamion dhe një punonjës. Si pasojë e këtij incidenti, një punonjës mashkull kosovar 55 vjeçar ka pësuar lëndime të rënda. Në vend ngjarje menjëherë kanë dalë zyrtarët e KEK-ut, Policia e Kosovës dhe ekipet mjekësore, të cilat kanë konfirmuar se viktima ka ndërruar jetë. KEK sh.a. shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, si dhe kolegëve e të gjithë bashkëpunëtorëve të tij. Autoritetet përkatëse janë duke trajtuar rastin në përputhje me procedurat ligjore”, ka njoftuar KEK-u.



