Fitore në frymën e fundit, Milani triumfon ndaj Cremoneses dhe shkrin epërsinë e Interit
Milani kishte nevojë për një gol të pazakontë në minutat e fundit nga Strahinja Pavlovic për të thyer rezistencën e Cremoneses, ndërsa Rafael Leao vulosi fitoren në shtesë, pasi kishte humbur disa raste të mëdha gjatë ndeshjes.
“Kuqezinjtë” kishin mungesa të rëndësishme për shkak dëmtimesh, ndërsa Cremonese po kalonte formë të dobët me pak gola në javët e fundit.
Leao humbi disa raste të arta, përfshirë një me portën bosh, ndërsa Christian Pulisic dhe Adrien Rabiot iu afruan golit, por portieri Emil Audero bëri pritje vendimtare.
Në pjesën e dytë pati raste nga të dyja skuadrat, me Mike Maignan që bëri një pritje të vështirë për Milanin.
Goli i avantazhit erdhi pas një krosimi nga Luka Modric, ku topi devijoi dhe përfundoi në rrjetë pas kontaktit me Pavlovic.
Në kohën shtesë, Milan shfrytëzoi kundërsulmin: Niclas Fullkrug asistoi për Christopher Nkunku, i cili pasoi për Leaon që realizoi nga afërsia për 2-0.
Me këtë fitore, Milani shkon në kuotën e 57 pikëve, dhjetë më pak se Interi që e kryeson tabelën.
Në anën tjetër, Cremonese është e 17-ta me 24 pikë.



