Cedomir Aksiq ishte dënuar me 15 vjet burgim në mungesë për krime lufte, Apeli e kthen rastin në rigjykim
Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e Çedomir Aksiqit i dënuar në mungesë për krime lufte, për pjesëmarrje në masakrën e Reçakut më 1999, ku janë vrarë 45 civilë shqiptarë.
Apeli ka konstatuar se ka pasur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe thuhet se procesi gjyqësor është zhvilluar pa u ndërmarrë përpjekje të arsyeshme për njoftimin e të akuzuarit për shqyrtimin gjyqësor dhe për sigurimin e pranisë së tij.
“Kolegji i kësaj gjykate ka gjetur se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 paragrafi 1 nënparagrafi 1.3 të KPP-së, pasi që gjykimi është mbajtur në mungesë të të akuzuarit pa u përmbushur kushtet ligjore të përcaktuara në nenin 303 paragrafët 7 dhe 8 të KPP-së, ngase, sipas vlerësimit të kolegjit, gjykimi në mungesë-shqyrtimi gjyqësor është zhvilluar pa u përmbushur kushtet ligjore, përkatësisht pa u ndërmarrë përpjekje të arsyeshme për njoftimin e të akuzuarit për shqyrtimin gjyqësor dhe për sigurimin e pranisë së tij”, është thënë në njoftim.
Sipas Apelit, Themelorja nuk e ka zbatuar drejtë nenin 303 të kodit të Procedurës Penale.
Kolegji ka gjetur se gjykata e shkallës së parë nuk ka zbatuar drejt nenin 303 paragrafi 8 të KPP-së, kur ka mbajtur gjykimin në mungesë të të akuzuarit duke konstatuar se janë përmbushur kushtet për zhvillimin e tij, pasi nga shkresat e lëndës, përveç mungesës së provave që do të dëshmonin publikimin e ftesës për seancë dhe të aktakuzës, rezulton se gjykata e shkallës së parë kishte anashkaluar tërësisht një nga kushtet kumulative ligjore të përcaktuara me këtë dispozitë, përkatësisht zhvillimin e një fushate informative të plotë, e cila paraqet parakusht të domosdoshëm për konstatimin e përmbushjes së standardit ligjor për mbajtjen e gjykimit në mungesë të të akuzuarit.
Në paragrafin 8 të nenit 303 thuhet se “përpjekjet e arsyeshme në kuptimin e paragrafëve 6 dhe 7 të këtij neni përfshijnë procedurat sipas neneve 172 dhe 173 të këtij Kodi dhe një fushatë informative të plotë, duke e thirrur të akuzuarin të dorëzohet në juridiksionin e gjykatës. Po ashtu, ftesa së bashku me aktakuzën publikohen në ueb faqen e prokurorit të shtetit, gjykatës që zhvillon procedurën dhe në gazetën zyrtare, duke i bërë thirrje të të akuzuarit të dorëzohet. Njoftimet e tilla i bëjnë thirrje çdo personi që ka informacion relevant për vendndodhjen e të akuzuarit që t’ia komunikojë atë informacion policisë”.



