Rodrygo humb sezonin, por edhe Botërorin
Sulmuesi i Real Madridit, Rodrygo, ka pësuar një dëmtim të ligamentit të kryqëzuar të përparmë (ACL) që do ta lërë jashtë fushave për pjesën e mbetur të sezonit dhe për Kupën e Botës në verë.
Braziliani u rikthye në aksion për herë të parë pas një muaji si zëvendësues në pjesën e dytë në humbjen 1-0 në shtëpi ndaj Getafes të hënën mbrëma.
Megjithatë, rikthimi i Rodrygos ka qenë i shkurtër, pasi kontrollet mjekësore pas një dëmtimi të pësuar gjatë ndeshjes zbuluan se ai do të ketë nevojë për operacion për shkak të dëmtimit në ACL.
Mediumet spanjolle raportojnë po ashtu se, Rodrygo luajti për pothuajse 30 minuta me ACL të këputur, duke u munduar t’i ndihmojë skuadrës që të arrijë fitore ndaj Getafes.
Ky lajm është veçanërisht i keq për Alvaro Arbeloan, i cili ka opsione të kufizuara në sulm për shkak të dëmtimeve, para ndeshjeve çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Manchester Cityt, me Vinícius Júnior dhe Gonzalo García si të vetmit sulmues të mirëfilltë në mungesë të Kylian Mbappé.
Rodrygo luajti gjithsej 27 ndeshje për Real Madridin në sezonin 2025/26, duke shënuar tre gola dhe duke dhënë katër asistime.



