Fikret Shatri falënderon Jeton Osmanajn për mbështetjen ndaj KB “Istogu”
Drejtuesi i klubit basketbollistik “Istogu”, që garon në Ligën e Parë të Kosovës, Fikret Shatri, ka shprehur mirënjohje publike për mbështetjen financiare që po i jep klubit qytetari istogas Jeton Osmanaj.
Shatri e ka vlerësuar Osmanajn si një qytetar të ndershëm dhe patriot, duke rikujtuar edhe sakrificat që ai kishte përjetuar gjatë viteve 1995/96, kur ishte rrahur brutalisht nga policia serbe vetëm pse ishte shqiptar. Sipas tij, fotografia e publikuar është realizuar pas ngjarjes së ndodhur në Savinovodë në atë periudhë.

“Vetëm pse ishe shqiptar, mund ta pësoje kështu nga forcat policore barbare dhe shoviniste serbe. Kjo foto është bërë pas brutalitetit diku në Savinovodë, 1995/96. Ky është kushëriri ynë Jeton Osmanaj, që na do fort dhe e duam po ashtu. Ky qytetar i ndershëm i Istogut është ai që po na mban gjallë me Klub të Basketbollit ‘Istogu’. Falë tij po e tejkalojmë një situatë kaotike financiare që po kalojmë”, ka shkruar Shatri në llogarinë e tij në Facebook.
Ai ka theksuar se falë kësaj mbështetjeje, skuadra po arrin të përballojë vështirësitë, duke përmendur edhe faktin se ndeshjen e fundit si vendas e zhvilluan në palestrën “Sezair Surroi” në Prizren.
Në fund, Shatri ia ka dedikuar fitoren e fundit, me të cilën skuadra siguroi matematikisht mbijetesën në ligë, Jeton Osmanajt, të cilin e cilësoi si “njeri zemërbardhë” dhe mbështetës të madh të klubit.




