Ali Ahmeti: ‘Epopeja e UÇK’-së, simbol i qëndresës, unitetit dhe sakrificës
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka përkujtuar përvjetorin e “Epopesë së UÇK”-së, duke theksuar se datat 5, 6 dhe 7 mars janë ditë krenarie dhe kujtese kombëtare për shqiptarët kudo në botë.
Në një postim në “Facebook”, Ahmeti ka vlerësuar rëndësinë historike të kësaj ngjarjeje dhe sakrificën e familjes Jashari gjatë luftës për liri.
“Për çdo shqiptar, anë e mbanë botës, datat 5, 6 dhe 7 mars janë ditë të krenarisë dhe kujtesës kombëtare, ditë kur përkujtojmë përvjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë bashkëkohore të popullit tonë”, ka shkruar ai.
Ahmeti ka përkujtuar edhe figurën e komandantit legjendar Adem Jashari, duke theksuar sakrificën e familjes së tij në Prekaz.
“Në këto ditë të shënuara kujtojmë me respekt dhe nderim luftën e lavdishme të komandantit legjendar, Adem Jasharit, i cili së bashku me familjen e tij, me prindër, vëllezër, gra e fëmijë, me ‘besa besë’ e me trimëri të pashoq, luftuan përballë forcave të armikut dhe sakrifikuan jetën heroikisht për lirinë e pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Ahmeti, duke shtuar se “Epopeja e UÇK”-së mbetet simbol i qëndresës dhe unitetit kombëtar.
“‘Epopeja e UÇK’-së mbetet simbol i qëndresës, unitetit dhe sakrificës. Gjaku i derdhur në Prekaz e anë e mbanë Kosovës na obligon që të ruajmë dhe forcojmë lirinë, të punojmë për unitet kombëtar dhe për një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë”, ka shkruar Ahmeti.



