Kusari-Lila zhvillon takim në Toronto për investime dhe partneritete ekonomike
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, gjatë vizitës së saj në Kanada ka zhvilluar një takim në Toronto me dy zëvendëspresidentët e Ontario Chamber of Commerce, organizatë e cila përfaqëson mbi 60 dhoma lokale anëtare në gjithë provincën e Ontarios dhe rreth 60,000 biznese përmes rrjetit të saj.
Në këtë takim me zëvendëspresidentët Loui Di Palma dhe Julie Martini, si dhe me menaxherin e programeve Jason Chang, u diskutua për zhvillimin e sektorit minerar, industrinë e mbrojtjes, zhvillimin dhe potencialin e teknologjisë informative, si dhe mundësitë për outsourcing dhe partneritete konkrete ndërmjet bizneseve.
Ontario është zemra ekonomike e Kanadasë, duke gjeneruar rreth 38-40 për qind të PBB-së kombëtare, me një ekonomi që kalon 1 trilion dollarë kanadezë dhe me mbi 16 milionë banorë.
Provinca është lidere në prodhim industrial, miniera, teknologji, financë dhe industri të avancuara të mbrojtjes, duke ofruar një ekosistem të fuqishëm për investime dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Në një botë me ndryshime të mëdha dhe konkurrencë të fortë të shteteve për kapital dhe investime, Kosova synon të krijojë pozicionin e saj bazuar në aftësitë dhe kreativitetin e të rinjve dhe në potencialin e burimeve natyrore.
Ministrja Kusari-Lila bëri të ditur se mes Kosovës dhe Kanadasë tashmë është nënshkruar Marrëveshja për Mbrojtjen e Investimeve të Huaja, ndërsa është në proces edhe Marrëveshja për Eliminimin e Tatimit të Dyfishtë, hapa konkretë që e bëjnë bashkëpunimin ekonomik më të sigurt dhe më tërheqës për investitorët.



