Hisen Berisha tregon se çfarë skenari po përgatit Kurti për zgjatjen e krizës institucionale

05 mars 2026 | 13:56

Ish-deputeti i PDK-së, gjenerali në pension, Hisen Berisha, ka komentuar zhvillimet e fundit në vend për zgjedhjen e presidentit.

Ai përmes një postimi në “Facebook” ka shkruar se Kosova po shtyhet qëllimisht drejt një labirinthi procedurash burokratike për zgjedhjen e presidentit, vetëm për të blerë kohë dhe për të shmangur përballjen me qytetarët.

Berisha ka thënë se në vend të një zgjidhjeje të qartë politike, po ndërtohet një skenar i zvarritjes procedurale që mund të zgjasë deri në muajt e verës, duke lënë që të kuptohet se sikurse që ka ndodhur më 28 dhjetor, Kurti po pret edhe kësaj here diasporën në korrik e gusht për të shkuar në zgjedhje të reja.

“Në vend të një zgjidhjeje të qartë politike, po ndërtohet një skenar i zvarritjes procedurale që mund të zgjasë deri në 60 ditë nga momenti i fillimit të procedurës për zgjedhjen e presidentit. e më pastaj nëse deshton procesi shkohet në mbajtjen e zgjedhjeve. Praktikisht, vendi po shtyhet drejt zgjedhjeve në fillim të majit ose edhe më vonë. Mandati i presidentit aktual përfundon më 4 prill. Kjo do të thotë se me automatizëm, pas kësaj date, sipas Kushtetutës, detyrën e presidentit e ushtron kryetari i Kuvendit për një periudhë deri në gjashtë muaj. Në këtë periudhë ai ka edhe kompetencën për të caktuar datën e zgjedhjeve, të cilat mund të shtyhen deri në muajt e verës, në korrik apo në gusht, deri në tetor”, ka shkruar Berisha.

Pra, sipas tij, në vend të një zgjidhjeje të menjëhershme politike, po ndërtohet një mekanizëm për ta mbajtur vendin në një krizë të zgjatur institucionale dhe për të fituar kohë për kalkulime politike.

“Në një vend me dinjitet qytetar dhe me një shoqëri civile të pakomprometuar, reagimi do të duhej të ishte i menjëhershëm. Qytetarët do të duhej të mbushnin sheshet dhe të bllokonin institucionet për të kërkuar një gjë të vetme, zgjedhje të menjëhershme dhe kthim të sovranitetit te vota e qytetarëve. Nuk ka asnjë nevojë që kjo çështje të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për të blerë kohë. Gjuha ligjore dhe kushtetuese është e qartë. Mjafton të plotësohen kriteret formale kushtetuese dhe parlamentare, qoftë edhe nga opozita, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve dhe për të mos e futur vendin në një krizë të thellë institucionale. Çdo skenar tjetër është thjesht kalkulim politik. Jo vetëm për interesa partiake brenda vendit, por edhe për ruajtjen e një status quoje që në praktikë i shërben vetëm interesave të Serbisë dhe skenarëve të saj elektoralë, ashtu siç artikulohet hapur nga eksponentët e politikës në Beograd. Kosova nuk ka nevojë për zvarritje procedurale. Ka nevojë për vendimmarrje të qartë dhe për kthimin e legjitimitetit politik te qytetarët”, ka shkruar ish-deputeti Berisha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së përmes një reagimi…