Vjosa Osmani pranon publikisht se ia dha datën e zgjedhjeve Albin Kurtit
Vjosa Osmani ka lënë të nënkuptohet se 28 dhjetori ishte përzgjedhje e qëllimshme e datës së zgjedhjeve për hir të Kurtit. Presidentja Vjosa Osmani, ka dhënë intervistën e parë pas prishjes së raporteve me kryeministrin Albin Kurti. Në këtë intervistë ajo ka hedhur akuza ndaj tij, duke e cilësuar si tradhtar.
Megjithatë, Osmani ka bërë edhe një deklaratë skandaloze lidhur me rolin e saj si presidente.
Ndonëse data e zgjedhjeve duhet të caktohet në përputhje me interesin e qytetarëve dhe të shtetit, Osmani deklaroi se ia kishte dhënë këtë datë Albin Kurtit.
“A ja paskam organizuar unë pas shtatorit puçin zorit Kurtit duke ja dhënë datën 28 dhjetor a??, Duke ja hequr masat Kosovës? Duke i sjell Kosovës njohje? Duke i vizituar komunat që udhëhiqen nga Vetëvendosje? Duke pritu diasporën e Kosovës ja pasna organizuar puqin a???”, deklaroi Osmani.
Ajo i bëri këto komente duke reaguar ndaj pretendimeve se ajo dhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kishin biseduar për organizimin e një “puçi” ndaj kryeministrit.
“Kur aleatja më e fuqishme e tyre trajtohet kështu, llogaritni të tjerët. Është për keqardhje që bëhen akuza të tilla dhe madje thirrje për pushkatimin e presidentes”, tha Osmani.
“Sikur këto sulme të drejtoheshin nga Vuçiqi e Serbia, që ka kryer akt agresioni ndaj Kosovës, atëherë do të arrinim shumë. Por për fat të keq kanë gjetur gjuhë të linçimit ndaj meje, pa asnjë dëshmi të vetme. Unë i bëj thirrje të gjithëve, nga Kryeministri Kurti deri te deputeti i fundit: le të paraqesin faktet, ku i keni faktet, ku i keni dëshmitë, që Presidentja e Kosovës është involvuar në ndonjë komplot”, tha Osmani.
Ajo ka folur edhe për mundësinë që ajo të merrte një mandat të dytë, duke deklaruar se nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta kishte propozuar atë si kandidate të vetme, ajo sot do të ishte rizgjedhur presidente. Osmani ka treguar gjithashtu se ka pasur përkrahje të deputetëve të opozitës, sidomos nga LDK-ja dhe disa parti të vogla. Ajo theksoi se pas diskutimeve individuale, ishte e bindur se mund të siguronin rreth 80 vota pa problem.
“Sikur të propozohesha si kandidatja e vetme e LVV-së dhe të kishim një kandidat formal tjetër, jam e bindur se sot do të kishim presidente, do ta kishim qeverinë Kurti dhe do të diskutonim për kapitalizimin e përkrahjes së jashtëzakonshme nga administrata Trump 2”, tha Osmani.
Megjithatë, ajo shtoi se kur u pa se mund të kishte shanse reale për rizgjedhje, LVV-ja dhe personalisht Kryeministri Albin Kurti nuk e mbështetën kandidaturën e saj.
“Sa më shumë që punoja me opozitën dhe siguroheshim për votat, aq më shumë erdhi vlerësimi i ri nga LVV-ja se nuk do të më mbështesnin”, u shpreh Osmani.



