Gërvalla thotë se do të ketë rend, siguri dhe integritet në të gjitha institucionet korrektuese

12 mars 2026 | 12:34

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se në Lipjan ka takuar drejtorët e institucioneve korrektuese dhe drejtorët e departamenteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Korrektues të Kosovës, me të cilët ka trajtuar drejtpërdrejt çështjet që lidhen me sigurinë, menaxhimin dhe integritetin e sistemit korrektues.

“Siguria në institucionet korrektuese, parandalimi i kontrabandës, forcimi i mekanizmave të kontrollit dhe zbatimi i plotë i ligjit janë përgjegjësi që nuk lënë hapësirë për kompromis. Institucionet korrektuese kërkojnë disiplinë, profesionalizëm dhe standarde të qarta të llogaridhënies në çdo nivel të drejtimit. Çdo institucion duhet të funksionojë me rend të plotë, me kontroll efektiv dhe me përgjegjësi të qartë institucionale, sepse çdo dobësi në këtë sistem dëmton drejtpërdrejt besimin e qytetarëve në drejtësi”, ka thënë Gërvalla.
Ajo ka theksuar se sistemi korrektues duhet të jetë i fortë, i disiplinuar dhe i drejtë.

“Kjo kërkon udhëheqje të vendosur, zbatim të pakompromis të ligjit dhe përkushtim të plotë institucional për të garantuar sigurinë, rendin dhe integritetin e çdo institucioni korrektues në vend. Këto standarde nuk janë vetëm pritje institucionale, por përgjegjësi që do të ndiqen me seriozitet dhe vëmendje të vazhdueshme nga afër”, është shprehur ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përballjet interesante në futbollin evropian do të vazhdojnë edhe gjatë…