11 Marsi 1981 – Zëri i parë i revoltës studentore për liri
Është përkujtuar 11 marsi i vitit 1981, një datë që simbolizon fillimin e ndryshimeve epokale politike, shoqërore, arsimore, kulturore dhe kombëtare të popullit shqiptar nën pushtimin jugosllavo-serb.
45-vjetori i Demonstratave të vitit 1981
Në atë kohë, Universiteti i Kosovës – pjesë e të cilit ishin studentët e fakulteteve dhe të shkollave të larta në qytete si Mitrovica, Gjakova, Peja, Prizreni dhe Gjilani – kishte një numër të madh studentësh që jetonin në kushte të vështira sociale. Shumica vinin nga vise të largëta për të studiuar, përfshirë edhe studentë shqiptarë nga Maqedonia, Mali i Zi, si dhe nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci.
Pakënaqësia e studentëve ishte rezultat i shumë faktorëve:
pushtimi klasik i viseve shqiptare, shfrytëzimi ekonomik, kushtet e rënda sociale, shkelja e të drejtave elementare në punësim, kulturë, arsim dhe sport, ndalimi i kontakteve me Shqipërinë dhe kufizimi i lëvizjes së lirë.
Krahasimi me studentët në pjesët tjera të Jugosllavisë e bënte këtë padrejtësi edhe më të dukshme. Për shembull, studentët e Serbisë merrnin kredi studentore deri në dhjetë herë më të larta se studentët nga Kosova dhe përfitonin bursa në mënyrë shumë më të gjerë. Ndërkohë, për studentët shqiptarë kishte kufizime të mëdha, përfshirë edhe ndalimin e literaturës dhe burgosjen e veprimtarëve politikë, siç ishte rasti i burgosjeve të vitit 1975 me në krye Adem Demaçin.
Me fjalë të tjera, shteti jugosllav – dhe veçanërisht Serbia – nuk pranonte që shqiptarët të zhvillonin jetën e tyre në mënyrë normale, duke synuar t’i mbante ata nën sundimin e shovinizmit serb.
Fillimi i demonstratave
Në këto rrethana, disa studentë që kishin diskutuar ndërmjet tyre më 9 dhe 10 mars, vendosën që më 11 mars të ndërmerrnin një veprim protestues. Data u zgjodh sepse ishte ditë e mërkurë, kur shumica e studentëve ndodheshin në Prishtinë.
Studentët u grumbulluan në Konviktin nr. 3 dhe u drejtuan për në Mensën e Studentëve rreth orës 19:00. Në mesin e tyre ishin:
Gani Koci, Murat Musliu, Selim Geci, Kadri Kryeziu, Januz Januzaj, Bedri Deliu dhe Ramadan Gashi.
Shkaku i menjëhershëm i pakënaqësisë ishte pritja e gjatë në radhë për ushqim në mensë, por në të vërtetë kjo ishte vetëm një simbol i pakënaqësive shumë më të mëdha politike dhe sociale.
Pasi kërkuan të takonin udhëheqësit e qendrës studentore dhe askush nuk doli për të biseduar, tensioni u rrit. Studentët filluan të përmbysin pjata dhe karrige, ndërsa shumë shpejt turma u grumbullua në hapësirën para mensës dhe u nis drejt qytetit për të shprehur revoltën.
Marshimi në qytet
Rreth 200–300 studentë marshuan drejt qytetit përgjatë rrugës “Ramiz Sadiku”. Turma kaloi pranë Fakultetit Juridik dhe u drejtua drejt qendrës së Prishtinës, duke ndaluar para Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë.
Aty u brohoritën parulla si:
“Duam kushte!”
“Barazi për shqiptarët!”
“Lironi shokët nga burgu!”
“Liri për Adem Demaçin!”
“Bashkim!”
U dëgjua edhe parulla “Kosova – Republikë!”, por në mënyrë sporadike, pasi shumë studentë mendonin se ishte ende herët për një kërkesë të tillë të hapur.
Kur turma u drejtua nga Fakulteti Filozofik, u përball me kordonin e milicisë, e cila përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Megjithatë, studentët u riorganizuan dhe iu bashkuan turmës së madhe pranë mensës.
Reagimi i pushtetit
Fillimisht, pushteti i trajtoi ngjarjet e 11 marsit si prishje të rendit dhe qetësisë publike nga një grup studentësh. Qetësia e përkohshme që pasoi u përdor për të identifikuar organizatorët dhe për të penguar vazhdimin e protestave.
Megjithatë, demonstratat nuk u ndalën.
Më 26 mars, në Prishtinë shpërtheu një valë e re protestash, e cila u përhap më pas më 1 dhe 2 prill, duke u shndërruar në demonstrata të mëdha popullore në gjithë Kosovën.
Burgosjet dhe represioni
Më 25 dhe 26 mars 1981 filluan edhe burgosjet e para të studentëve dhe aktivistëve shqiptarë.
Sipas të dhënave të Shoqatës së të Burgosurve Politikë, vetëm gjatë vitit 1981 u burgosën 589 të rinj shqiptarë.
Represioni u organizua nga të gjitha strukturat shtetërore dhe partiake të Jugosllavisë:
Kryesia e RSFJ-së, Komiteti Qendror i LKJ-së, organet e sigurisë si UDB-ja, KOS-i, milicia, gjykatat dhe ushtria jugosllave.
Rruga drejt lirisë
Megjithë dhunën dhe terrorin, populli shqiptar nuk hoqi dorë nga rruga e lirisë. Breza të tërë vazhduan rezistencën, duke paguar një çmim të lartë me burgje, dhunë dhe sakrifica.
Demonstratat studentore të vitit 1981 u bënë një pikë kthese historike, që frymëzoi organizimin kombëtar deri në daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kapitullimin e ushtrisë jugosllavo-serbe në Kumanovë më 10 qershor 1999, pas marrëveshjes me NATO-n.
Prishtinë, 11 mars 2025 – Ripostim
Shefik Sadiku,
Kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës



