Kryediplomati shqiptar flet në telefon me homologun maqedonas: Të zbatohet përdorimi i shqipes në institucionet shtetërore
Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Timco Mucunski.
Me të, Hoxha ka folur edhe për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, dhe specifikisht zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore.
“Riafirmuam gjithashtu rëndësinë e madhe të zbatimit të plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, gurthemel i bashkëjetesës ndëretnike dhe stabilitetit institucional në vend. Në këtë drejtim, nënvizova rëndësinë e zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, përmes zgjidhjeve që respektojnë parimet kushtetuese dhe pasqyrojnë karakterin shumetnik të vendit”, ka shkruar Hoxha në një postim në “X”.
Më tutje, Hoxha ka thënë se me Mucunskin kanë riafirmuar “marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”.
“Për ne, Maqedonia e Veriut nuk është vetëm një vend fqinj dhe mik, por edhe një aleat i çmuar i #NATO-s dhe një partner i ngushtë rajonal”, ka shkruar Hoxha.
Kryediplomati shqiptar ka thënë ndër tjerash se kanë rënë dakord se “integrimi evropian i dy vendeve tona dhe i të gjithë Ballkanit Perëndimor është me rëndësi strategjike dhe përfaqëson investimin më të mirë në stabilitet dhe siguri, si për rajonin tonë, ashtu edhe për Bashkimin Evropian”.
“Së fundmi, ramë dakord për rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit për zbatimin e Korridorit VIII, një projekt kyç për lidhshmërinë dhe zhvillimin rajonal”, ka shkruar Hoxha.



