Komuna e Rahovecit përfundon ndërtimin e sistemeve bio-septike
Në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Be Clean, Be Green”, Komuna e Rahovecit ka përfunduar me sukses zbatimin e një ndërhyrjeje të rëndësishme mjedisore për përmirësimin e kushteve sanitare në gjashtë vendbanime rurale, përmes ndërtimit dhe instalimit të sistemeve bio-septike për trajtimin e ujërave të zeza.
Ky projekt është realizuar në partneritet ndërmjet Komunës së Rahovecit (Kosovë) dhe Komunës së Haraqinës (Maqedonia e Veriut), në bashkëpunim me organizatat joqeveritare Green Art Center dhe Center for Understanding and International Cooperation (CUIC), në përputhje me kontratën nr. 2023/450-726.
Vendbanimet përfituese përfshijnë: 1. Pataqan i Epërm; 2. Reti; 3. Polluzhë; 4. Pataqan i Poshtëm; 5. Pastasel; 6. Lagjja 1 – Rahovec (zona përfituese).
Nga ky investim përfitojnë drejtpërdrejt rreth 3,500 banorë, të cilët tashmë kanë qasje në një sistem të sigurt, modern dhe të qëndrueshëm për menaxhimin e ujërave të ndotura. Rezultatet e arritura përfshijnë: Reduktim të ndotjes së ujërave nëntokësore dhe tokës bujqësore; Përmirësim të shëndetit publik dhe ulje të rrezikut nga sëmundjet ujë-bartëse; Eliminim të praktikave të derdhjes së ujërave të zeza në natyrë; Përmirësim të kushteve higjieno-sanitare për komunitetet përfituese; Kontribut në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG 6 – Ujë i pastër dhe kanalizim).
“Përfundimi i këtij projekti shënon një arritje të rëndësishme për Komunën e Rahovecit dhe qytetarët e saj. Ky investim garanton kushte më të mira jetese dhe një mjedis më të pastër për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme. Falënderojmë Bashkimin Evropian dhe të gjithë partnerët për mbështetjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyer”, ka thënë kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.
Ky projekt përfaqëson një hap konkret drejt përmirësimit të infrastrukturës mjedisore dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkufitar në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.



