Behrami: PDK-ja, viktima më e madhe e lojalitetit ndaj Perëndimit, LV-ja është përfituesja më e madhe nga konfrontimi
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka thënë se kjo parti është viktima më e madhe e dialogut, bashkëpunimit dhe lojalitetit ndaj Perëndimit.
Behrami ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është përfituesja më e madhe e konfrontimit me Perëndimin.
Deputeti i PDK-së, teksa komentuar një reagim të BE-së për qëndrimin e PDK-së lidhur me Ligjin për të huajt, ka shkruar në “Facebook” se “mos u befasoni me një standard që vetë e keni legjitimuar”.
“PDK-ja është viktima më e madhe e dialogut, bashkëpunimit dhe lojalitetit ndaj Perëndimit. Ndërsa VV-ja është përfituesja më e madhe nga konfrontimi, nga dhuna politike dhe nga besëprerja ndaj Perëndimit. Andaj, mos u befasoni me një standard që vetë e keni legjitimuar. Me negociatat sekrete dhe pranimin e strukturave paralele, Kurti ka vendosur themelet e jetësimit të ‘Zajednicës’. Ajo, bazuar në marrëveshjen e Ohrit, parasheh autonomi territoriale për veriun dhe eksteritorialitet për kishat ortodokse serbe”, ka shkruar Behrami.



