Irani merr pjesë në Kupën e Botës veç me një kusht, tash topi është te FIFA

17 mars 2026 | 12:41

Situata gjeopolitike po fillon të ndikojë drejtpërdrejt edhe në futbollin botëror.

Federata e futbollit e Iranit i ka nisur negociatat me FIFA-n për t’i zhvendosur ndeshjet e saj të Kupës së Botës 2026 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Meksikës.

Sipas raportimeve, vendimi lidhet drejtpërdrejt me tensionet e fundit mes Iranit dhe ShBA-së, pas sulmeve ushtarake të përbashkëta me Izraelin.

Kjo situatë ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e ekipit kombëtar iranian gjatë qëndrimit në territorin amerikan.

Presidenti i Federatës iraniane, Mehdi Taj, ka qenë i qartë: skuadra nuk është e gatshme të udhëtojë në SHBA në këto kushte, sidomos pasi është deklaruar se nuk mund të garantohet siguria e tyre.

Irani është shortuar në Grupin G dhe fillimisht pritet t’i luajë ndeshjet në qytete amerikane si Los Angeles dhe Seattle.

Megjithatë, opsioni që po diskutohet është zhvendosja e këtyre ndeshjeve në Meksikë, një nga vendet bashkë-organizatore të turneut së bashku me ShBA-në dhe Kanadanë.

Një vendim i tillë do të ishte shumë kompleks për shkak të organizimit tashmë të avancuar të turneut, me kalendar të përcaktuar, bileta të shitura dhe marrëveshje televizive të finalizuara.

Nëse FIFA nuk e pranon kërkesën, ekziston edhe mundësia ekstreme që Irani të tërhiqet nga turneu.

Një vendim i tillë do të ishte historik, pasi do ta shënonte një nga rastet e rralla të tërheqjes së një kombëtareje të kualifikuar nga Kupa e Botës në epokën moderne.

Megjithatë, deri tani nuk ka një vendim zyrtar për tërheqje dhe autoritetet e futbollit aziatik nuk e kanë marrë asnjë njoftim formal.

Botërori 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, rrezikon të ndikohet ndjeshëm nga zhvillimet politike globale.

Rasti i Iranit është një shembull i qartë se si tensionet ndërkombëtare mund të ndikojnë drejtpërdrejt në organizimin e eventeve më të mëdha sportive në botë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Evropian ka konfirmuar se janë hequr të gjitha masat…