I denoncuar për keqpërdorime dhe nën hetime: Bislim Bislimi drejt rikthimit në krye të Arkivave, ndëshkohet sinjalizuesi

18 mars 2026 | 14:38

I denoncuar për keqpërdorim të detyrës dhe i raportuar në organet e hetuesisë, Bislim Bislimi po synon të rikthehet në krye të Arkivave, ndërsa sinjalizuesi që ngriti dyshimet është pezulluar.

Sipas burimeve të Gazetës Metro pranë Agjencisë Anti-korrupsion, Bislimi, aktualisht Sekretar i Përgjithshëm, pritet të rikthehet në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Arkivave, pozitë të cilën e kishte ushtruar më parë për rreth dy vite, periudhë kjo që shoqërohet me dyshime për menaxhim të dyshimtë të projekteve dhe fondeve publike.

Denoncimet ndaj tij janë bërë nga brenda institucionit

Zyrtari i Arkivave, Gjon Gegaj, në një shkresë zyrtare drejtuar institucioneve dhe ministres përkatëse, ka raportuar për shkelje të rënda ligjore, përfshirë manipulim të proceseve të prokurimit, ndikim në komisione dhe favorizim të kompanive të caktuara.

Sipas tij, pas denoncimit në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe në Policinë e Kosovës, ai është përballur me masa ndëshkuese. Me urdhër të drejtpërdrejtë të Bislimit, Komisioni Disiplinor ka marrë vendim për pezullimin e tij nga puna, një veprim që ngre dyshime për hakmarrje institucionale ndaj sinjalizuesve.

“Unë i kam njoftuar organet përgjegjëse për hetimin e korrupsionit… për përfshirje direkte në procese të dyshimta dhe abuzim të parasë publike”, thuhet në shkresën e tij.

Sipas Gegajt, reagimi ka qenë i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë nga vetë i denoncuari.

“Pas sinjalizimit… z. Bislim Bislimi i jep urdhër Komisionit Disiplinor për veprime të menjëhershme ndaj meje… dhe nxjerr vendim për pezullim nga detyra pa asnjë provë relevante”.

Ai thekson se në vend që të hetohen pretendimet, është ndëshkuar personi që i ka ngritur ato.

“Në vend të veprimit ndaj personave të apostrofuar… goditet personi i cili sinjalizon e denoncon rastet abuzive”.

Në shkresë pretendohet për një kontroll të plotë mbi proceset brenda Arkivave, nga prokurimi deri te konkurset.

Sipas tij, janë ushtruar edhe presione mbi stafin për të rritur normat e punës jashtë çdo standardi.

“Zyrtarët janë detyruar të punojnë nga 700 deri 1200 dokumente në ditë… jashtë çdo norme, me qëllim që kompania ta përfundojë tenderin më shpejt”.

Ai pretendon se kjo është bërë për përfitime të drejtpërdrejta financiare.

“Që kompania të mos paguaj punëtorë dhe të marrë fitimin nga përfundimi para kohe i kontratës”.

Në fund të shkresës, Gegaj i bën thirrje ministres që të ndërhyjë dhe të ndalë, siç e quan ai, padrejtësinë.

“Shpresoj ta ndaloni hakmarrjen ndaj zyrtarëve me integritet… dhe ta përmbysni njëherë e fortë të keqen që e ka kapluar këtë institucion. Rikthimi i tij godet rëndë përpjekjet kundër korrupsionit dhe dërgon mesazh se sinjalizuesit nuk janë të mbrojtur”.

Në denoncim përmenden edhe raste konkrete të dyshuara, si dhënia e punëve shtesë në vlerë prej 30% të kontratës për një kompani të caktuar, përfundimi i parakohshëm i projekteve për të rritur përfitimet, si dhe ndikimi në konkurse dhe emërime brenda institucionit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Interesi i tifozëve shqiptarë për ndeshjen ndaj Polonisë ka qenë…