BQK-ja thekson rëndësinë e edukimit financiar në ndarjen e çmimeve të garës për bankierë të rinj
Banka Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) si bashkë organizatore me Shoqatën e Bankave të Kosovës dhe me mbështetjen e German Sparkassenstiftung for International Cooperation, organizuan ceremoninë e ndarjes së çmimeve për garën “Stock Market Learning Competition” për bankierë të rinj, si pjesë e organizimeve të përbashkëta dhe dakorduara sipas Memorandumit të Mirëkuptimit me shoqatat e sektorit financiar.
Në këtë aktivitet, zëvendësguvernatorja e BQK-së, Nesrin Shileku-Shala, theksoi rëndësinë e edukimit financiar dhe të përvojës praktike në përgatitjen e profesionistëve të rinj për sfidat e tregut financiar.
Ajo nënvizoi përkushtimin e vazhdueshëm të BQK-së në forcimin e edukimit financiar, mbrojtjes së konsumatorit dhe përfshirjes financiare, duke e reflektuar këtë angazhim edhe përmes aktiviteteve të organizuara në kuadër të Javës Globale të Parasë.
Përmes kësaj gare, pjesëmarrësit patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre mbi funksionimin e tregjeve të kapitalit dhe të zhvillojnë aftësi praktike në vendimmarrje investuese, në një mjedis simulues të tregtimit.
Një ditë me parë, me rastin e hapjes së Javës Globale të Parasë, BQK shpalli fituesit e kësaj gara për studentët me një ceremoni të veçantë ku u shpërblyen 11 fitues.
Zëvendësguvernatorja Shileku-Shala gjithashtu rikonfirmoi fokusin strategjik të BQK-së në zhvillimin e tregjeve të kapitalit, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
BQK-ja ka theksuar se mbetet e përkushtuar në promovimin e edukimit financiar dhe në ndërtimin e një shoqërie financiarisht të edukuar dhe të qëndrueshme.



