Përurohet segmenti i rrugës nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë, investim 25 milionë euro
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, në Vushtrri, përuruan segmentin e përfunduar të rrugës nacionale N2 Prishtinë – Mitrovicë, projekt në vlerë 25 milionë euro.
Duke kujtuar që projekti për zgjerimin kësaj rruge në katër korsi kishte nisur para 17 vjetësh, kryeministri Kurti tha se brenda afatit dy vjeçar është përfunduar segmenti në gjatësi prej 9.6 kilometrash.
“Mos të harrojmë ky projekt ka nisur në vitin e largët 2009 dhe nuk u përfundua asnjëherë për shkak se u nis mbrapshtë. Ky investim prej 25 milionë euro, me gjatësi 9.6 kilometra, është realizuar në bashkëpunim ndërmjet institucioneve tona, Fondit Saudit për Zhvillim si dhe Fondin e OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar, për çfarë i falënderoj për mbështetjen dhe kontributin e tyre të çmuar”, tha kryeministri.
Në dhjetor të vitit 2024 ishte përuruar pjesa e parë e segmentit në gjatësi prej më shumë se 5 kilometrash, nga fshati Lum i Madh deri në hyrje të Vushtrrisë, e më pas edhe pjesa tjetër që përfshin bajpasin, në gjatësi prej rreth 4.4 kilometrash.
Kryeministri Kurti theksoi se tani prioritet mbetet nisja e punimeve në segmentin e fundit nga fshati Smrekonicë deri në Mitrovicë.
“Në anën tjetër, në këtë mandat të ri qeverisës, qysh në mbledhjen e tretë të qeverisë sonë e kemi marrë vendimin për procedim për ratifikim në Kuvendin e Kosovës të Marrëveshjes së Kredisë për projektin e rrugës me shpejtësi të lartë Prishtinë-Mitrovicë ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës për të proceduar sa më parë edhe me pjesën e mbetur të kësaj rruge, e cila e lidhë Prishtinën me Mitrovicën. Urojmë që sa më parë Kuvendi të zhbllokohet e edhe ky projekt të nis menjëherë”, tha kryeministri Kurti.
Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, tha se rruga e re është jashtëzakonisht moderne, duke përfshirë bajpasin që në njërën anë lehtëson qarkullimin dhe në anën tjetër lidhë shtatë fshatra.
Krahas donatorëve, Fondit Saudit për Zhvillim si dhe Fondin e OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar, ministri Basha falënderoi qytetarët për durimin e tyre, ndërsa shtoi se me Qeverinë Kurti po realizohen projektet që ishin lënë për gjithë këto vite. Ai, po ashtu, theksoi nevojën që të zhbllokohet puna e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të ratifikohet marrëveshja ndërkombëtare për financimin e segmentit të fundit të rrugës nga Smrekonica në Mitrovicë.



