OEK dhe DhTIK propozojnë masa për uljen e çmimit të naftës

20 mars 2026 | 12:51

Rritja e vazhdueshme e çmimeve të derivateve të naftës ka shtuar presionin mbi ekonominë e Kosovës. Për zgjidhjen e këtij problemi, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës, kanë kërkuar ndërhyrje të mënjëhershme nga Qeveria e Kosovës përmes masave që synojnë uljen e çmimeve të derivateve të naftës dhe në të njëjtën kohë lehtësimin e barrës për qytetarët.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna tha për KosovaPress, se pas analizave të kryera, institucioni që ai përfaqëson ka propozuar dy masa konkrete që do të ndikonin në uljen e çmimeve të derivateve të naftës.

Sipas analizave të Odës Ekonomike, nëse këto masa zbatohen plotësisht, çmimi i naftës mund të ulet deri në 30-40 për qind.

Rafuna paralajmëroi se në mungesë të veprimeve konkrete, pritet që çmimet të vazhdojnë të rriten duke marrë parasysh zhvillimet gjeopolitike, përfshirë tensionet në Lindjen e Mesme dhe bllokimin e rrugëve kryesore të furnizimit me naftë.

Nga ana tjetër, edhe Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Skënder Krasniqi ka bërë thirrje për veprim të shpejtë, pasi sipas tij, është një nevojë emergjente.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka kërkuar dhe kërkon që me urgjencë Qeveria e Kosovës të ulë taksën dhe akcizën në naftë, siç janë duke vepruar shumë vende të tjera dhe rasti i fundit edhe Italia, në mënyrë që të kemi një ulje të çmimit i cili është duke e ngarkuar jashtëzakonisht biznesin dhe qytetarin në blerje dhe njëkohësisht është duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të konsumit si rezultat i rritjes së çmimeve të naftës dhe transportit të saj. Kjo është një nevojë emergjente në një afat së paku tremujor, në mënyrë që të kemi një stabilitet sepse situatat me të cilat është duke u ndodhë në Iran dhe në gjithë botën mund të ndikojë edhe që të kemi rritje edhe më të madhe të çmimeve sesa kemi aktualisht”, tha Krasniqi.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila deklaroi dy ditë më parë tha se pritet një stabilizim i çmimeve në muajt në vijim, veçanërisht gjatë verës, duke sqaruar se çmimi i naftës përcaktohet mbi bazën e çmimit të importit të një dite më parë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, së bashku…