Urimi i Macronit për rizgjedhjen Kuriti si kryeministër: U takon t’i zbatoni angazhimet e marra në marrëveshjet e fundit me Serbinë

22 mars 2026 | 13:59

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti një letër urimi më 23 shkurt, për ta uruar për mandatin e ri qeverisës.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka treguar disa letra urimi që iu dërguan Kurtit, dhe Macron në të tijën, shkruan ndër tjerash se Franca do ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj europiane.

Në të njëjtin paragraf, Macroni përmend edhe marrëveshjet e fundit nga dialogu Kosovë-Serbi, duke kërkuar zbatimin e tyre.

“Marrëveshjet e Brukselit-Ohrit kanë përcaktuar drejtimin dhe u takon të dyja palëve t’i zbatojnë angazhimet e marra, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian”, shkruan ndër tjerash presidenti francez.

Urimi i plotë i Macronit:

Paris, 23 shkurt 2026

I nderuar zoti kryeministër,

Ju drejtoj urimet e mia më të përzemërta për rizgjedhjen tuaj në postin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Ju e njihni përkushtimin tim ndaj objektivit të ribashkimit të kontinentit tonë: Franca është e bindur se vendi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Europian dhe ne vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në rrugën e saj evropiane. Franca do të vazhdojë gjithashtu t’i mbështesë pa u lodhur përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat përbëjnë një dimension thelbësor të këtij procesi afrimi me Bashkimin Evropian. Marrëveshjet e Brukselit-Ohrit kanë përcaktuar drejtimin dhe u takon të dyja palëve t’i zbatojnë angazhimet e marra, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Po ashtu dëshiroj që Franca dhe Kosova të vazhdojnë të thellojnë lidhjet e tyre dhe bashkëpunimin dypalësh, rreth projekteve strukturuese si, për shembull, përgatitja për Lojërat Mesdhetare që vendi juaj do t’i presë në vitin 2030.

Ju lutem pranoni, zoti kryeministër, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Emmanuel Macron

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e 22 marsit, Ditës Botërore të Ujit, KRU…