ZËRAT POETIKË SHQIPTARË NË GJUHËN FRËNGE

23 mars 2026 | 11:20

Bilall MALIQI

(Reshat Sahitaj “La poesie contemporaine albanaise” sh.b. L’Harmattan” Pari, 2024, fq. 133)

Përveç librit të parë me tregime NUS VERS L’INDEPENDENCE ku perfshihen 35 autorë të të gjitha trevave shqiptare, në të cilën janë përmbledhur tregime të shkurtra , tema dominuese ishte dashuria në kohën e luftës dhe të pas luftës së fundit që ka përjetuar populli shqiptar, të përkthyer në gjuhën frënge e të botuara nga sh.b. “L’Harmattan” në Paris, poeti, shkrimtari dhe studiuesi i njohur Reshat Sahitaj, e nisi dhe e përfundoi në vitin 2024 edhe një libër tjetër, por kësaj radhe me poezi, me titull “La poesie contemporaine albanaise”, në të cilën janë përfshirë 75 poetë nga të gjitha trojet shqiptare, të zgjedhur e të përzgjedhur e të përkthyer nga gjuha shqipe në gjuhën frënge nga përkthyesit e njohur: Behare Rexhepi, Adem Xheladini dhe Ismail Ismaili.
Në këtë Antologji poetike kemi zëra të njohur poetikë të cilët u pranuan nga kritika letrare franceze dhe nga editori i shtëpisë prestigjioze botuese L’Harmattan” të Parisit dhe me këtë edhe lexuesit frankofonë përveç leximit të prozës shqiptare, tanimë kanë edhe Antologjinë tjetër me poezi, kjo falë iniciativës dhe punës së palodhshme të përpiluesit të kësaj Antologjie, shkrimtarit, Reshat Sahitaj.
Brendia e librit shoqërohet me poezi të një game të gjerë motivuese, shoqëruar me tematika të qëlluara, me figuracion të bollshëm poetik, me një qëndrueshmëri të mirë poetike. Pra këta poetë së pari janë futur në “garë” në gjuhën shqipe, për ta kaluar kushtin e parë, që poezitë të kenë art dhe vlera poetike, pastaj edhe autorët të kenë një bagazh të mirë krijues, të jenë të vlerësuar më parë nga kritika letrare, në mënyrë që këta poetë të dalin me sa më shumë vlerë para kritikës së mirëfilltë letrare franceze, por edhe para lexuesve frankofonë. Me këtë poezia shqipe të njihet përmes vlerave të mirëfillta letrare, e që e kishte këtë synim përpiluesi i këtij libri, shkrimtari Reshat Sahitaj, që të bëjë këtë përzgjedhje të arsyeshme dhe strikte.
Siç e thashë më lart se ky është libri i dytë i shkrimtarit Sahitaj, i cili bukur mirë dhe me sukses arriti të depërtoj në Paris, në djepin e kulturës dhe të civilizimit evropian.
Librin në fjalë autori i librit e ka radhitur sipas sistemit alfabetik. Libri nis me poeten e talentuar Adelina Xhaferi dhe përfundon me poetin Xhelal Ademi, kuptohet edhe poetët tjerë që lexuesi ka mundësi t’i gjejë në libër.
Kjo është forma më e mirë dhe më e efektshme për prezantimin e poezisë shqipe në arenën ndërkombëtare.
Ky libër, sikurse edhe libri me tregime dhe të gjithë librat individualë të përkthyer e botuar nga kjo shtëpi botuese janë si “pasaportë” poetike shqiptare nëpër botë, me të cilën meritën më të madhe e ka përpiluesi , përkthyesi dhe editori i këtyre librave, Reshat Sahitaj.
Vlen të theksohet se nga kjo Antologji poetike, kritika franceze nga 75 poetë të pranishëm i ka përzgjedhur 17 poezitë më të mira të poetëve: Adem Xheladini, Alma Zenellari, Azem Zogaj, Begzad Baliu, Bilall Maliqi, Demir Reshiti, Dhimitër Pojanaku, Faruk Tasholli, Ibrahim Berisha, Faruk Tasholli, Ibrahim Berisha, Kalosh Çeliku, Lan Qyqalla, Meri Bo, Nikollë Loka, Sali Bytyçi, Sibel Halimi, Shefqet Dibrani dhe Sylë Ahmeti.
Ky është një sukses i madh për autorin e Antologjisë, për të prezantuarit brenda kopertinave të saj dhe për poezinë shqiptare në përgjithësi, e cila u fut brenda kornizave të poezisë bashkëkohore evropiane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kim Kardashian ka bërë një paraqitje surprizë në një supermarket…