Foda para ndeshjes me Sllovakinë: Mund ta shkruajmë historinë
Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda është shprehur optimist para ndeshjes me Sllovakinë. Trajneri gjerman në një konferencë për medie, ka folur për duelin e së enjtes, i vlefshëm për gjysmëfinalen e “play-off”-it të Botërorit 2026, duke thënë se Kosova mund ta shkruajë historinë.
“E dimë se çka na pret. Është një presion i lartë, por duam ta shndërrojmë në energji pozitive. Kemi treguar se në këso situata dimë ta menaxhojmë emocionin dhe situatën. Është një mundësi e mirë, mundësi që nuk vjen shpesh. E dimë se nëse i fitojmë këto dy ndeshje shkojmë në Botëror. Do të japim gjithçka nga vetja dhe mund ta shkruajmë historinë”, ka thënë Foda, duke shtuar se faza e grupeve ka qenë e vështirë për Kombëtaren e Kosovës.
“Faza e grupeve ka qenë e vështirë, ka qenë ëndërr për ne që ta kalojmë fazën e grupeve. Synim i yni ka qenë vendi i dytë dhe aty përfunduam. Ka qenë ëndërr ta kalojmë fazën e grupeve. Tash jemi në ‘play-off ‘dhe mund ta shkruajmë historinë. I kemi dy ndeshjet e radhës, duhet ta kemi parasysh se Sllovakia e ka mundur Gjermaninë, ka cilësi. I kemi dy ndeshjet e fundit dhe do të bëjmë çmos që Kosovën ta përfaqësojmë denjësisht. Lojtarët janë të motivuar, kemi ekip me një shpirt luftarak, detajet do të vendosin të enjten”, ka thënë Foda.
Më tutje, Foda ka treguar se si është zhvilluar Kombëtarja e Kosovës në futboll.
“Prej se jam trajner këtu, kjo skuadër është zhvilluar tutje. E kemi këtë ndjenjë dhe eufori momentale. Për ne është me rëndësi që të enjten ekipi të dalë si ekip që nga minuta e parë, qoftë për 90 minuta apo 120 minuta, ekipi duhet të bëjë çmos që të fitojmë”, është shprehur Foda.



