Enzo Fernandez apo Vitinha, kush ka më shumë shanse të zbarkojë në Real Madrid?
Drejtuesit e Real Madridit po vazhdojnë punën për të gjetur një mesfushor të ri. Emra si argjentinasi Enzo Fernandez dhe portugezi Vitinha aktualisht kryesojnë listën e preferencave të klubit madrilen.
Përforcimi i mesfushës është një nga objektivat kryesore të Real Madridit në prag të afatit kalimtar të verës.
“Los Blancos” synojnë të forcojnë një repart që, pavarësisht rezultateve të fundit, nuk ka arritur të ofrojë ende nivelin e dëshiruar nga stafi teknik.
Gjatë kësaj periudhe, janë përmendur shumë lojtarë në lidhje me klubin madrilen, por sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, klubi ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar mbi profilin që dëshiron të afrojë.
Ai theksoi se brenda klubit po zhvillohen diskutime të brendshme për mesfushorët dhe se është normale që ende nuk ka një zgjedhje finale.
Sipas tij, Real Madrid do të jetë aktiv në tregun e transferimeve, por vendimi përfundimtar duhet pritur përpara se të ndërmerren hapa konkretë për ndonjë lojtar të caktuar.
Romano shtoi gjithashtu se mes dy objektivave kryesorë, Vitinha dhe Enzo Fernandez, ekziston një diferencë e qartë.
Ai përmendi se për Vitinha, lojtari ka deklaruar më herët se nuk synon të largohet nga Paris Saint-Germain dhe nuk ka interes për një kalim te Real Madridi.
Ndërsa për Enzo Fernandez, situata është ndryshe, pasi nuk ka kontakte aktuale me klubin madrilen, duke lënë më shumë hapësirë për zhvillime të mundshme në të ardhmen.
Edhe burime nga media britanike talkSPORT raportojnë se mesfushori argjentinas mund të jetë i hapur për një largim nga klubi londinez ku aktivizohet, pasi nuk ndihet plotësisht i kënaqur pas ndryshimeve në stol, përfshirë largimin e Enzo Maresca.
Sipas këtyre raportimeve, Real Madridi konsiderohet si një destinacion i përshtatshëm për vazhdimin e karrierës së tij, megjithatë klubi spanjoll ende nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për ta transferuar.



