Shqipe Asllani përkujton babanë e saj hero: Emri yt nuk është vetëm kujtim, por betim, frymë dhe dritë që më udhëheq çdo ditë

25 mars 2026 | 01:11

Shqipe Asllani, ka përkujtuar babanë e saj hero të Kosovës, Ismet H. Asllani në 27-vjetorin e rënies së tij në fushën e nderit.

Ajo ka publikuar në rrejtet sociale një mesazh emocionues në ditën kur babai i saj ka rënë për të mos vdekur kurrë.

Shqipja ka thënë se emri i babait të saj nuk është vetëm kujtim, por betim  dhe dritë që e udhëheq çdo ditë.

“Emri yt nuk është vetëm kujtim – është betim, është frymë, është dritë që më udhëheq çdo ditë”, ka shkruar Shqipja në “Facebook”.

Postimi i plotë:

Kohën pas luftës e matëm me përvjetorë, dhe jeta u nda në dy epoka – para dhe pas saj.

Me kalimin e viteve, po bëhem gjithnjë e më egoiste, sepse, në vend që të jem krenare për babanë që pata, do të doja shumë më tepër të ishe këtu, pranë meje, në këtë botë të vështirë, por prapë – këtu!

Jetën e ndërtova mbi shpirtin tënd të madh, mbi heroizmin tënd të pashoq dhe mbi dashurinë e shenjtë që ia fale atdheut. Emri yt nuk është vetëm kujtim – është betim, është frymë, është dritë që më udhëheq çdo ditë.

Pasha Zotin, nuk ke pasur dhe nuk do të kesh shok, as në trojet shqiptare e as kudo në botë.

Po, jam krenare – pafund krenare. Por, o Isë, pse mendove kaq pak për veten? Ndoshta… sot do të ishe këtu me ne.

Jam e ndarë mes ndjenjave: krenaria për ty më mban në këmbë, por mungesa jote më thyen çdo ditë.

Kam inat me fatin tim që më bëri “bijë heroi” – të një heroi që, pasha gjakun tënd, nuk ka pasur dhe nuk do të ketë më shqiptaria. Por brenda kësaj krenarie të madhe, fshihet një dëshirë e heshtur, madje egoiste: do të doja të ishe këtu, jo si hero, jo si legjendë, por thjesht si babai im, gjyshi i Trojes, Helenes, Fronit…krahu i djathtë i Nanit…

Më fal, babë.

Bijës tënde, që jetën e ndërtoi mbi shpirtin tënd dhe me emrin tënd në zemër, i mungon shumë.

Shqipja jote

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot Profesor Latif…